Qytetarët e Prishtinës zgjohen me reminishencë - treni që kujton eksodin kosovar u "rikthye" si një skenë filmi

Qytetarët e Prishtinës janë zgjuar sot (e shtunë) të habitur nga një pamje e pazakontë pranë Stacionit të trenit në kryeqytet, ku dhjetëra njerëz ishin mbledhur përreth një treni të gjatë ngjyrë gri, duke krijuar një atmosferë që për shumëkënd solli kujtime të rënda nga e kaluara.
Për shumë prej banorëve, kjo skenë u bë një reminishencë e ditëve të luftës së fundit në Kosovë, kur mijëra qytetarë u detyruan të largoheshin nga Prishtina drejt Maqedonisë me tren, për t’i shpëtuar represionit serb.
Megjithatë, ndryshe nga ajo kohë, pamja e sotme ishte pjesë e xhirimeve të filmit të ri “Dua”, me regji dhe skenar nga Blerta Basholli, autore e filmit të suksesshëm “Zgjoi”.

Filmi “Dua” ka nisur së fundmi xhirimet në disa lokacione të Kosovës, duke përfshirë edhe Prishtinën, ku skenat e sotme kanë rikrijuar me realizëm atmosferën e viteve të luftës - me banorë të dëshpëruar, policë të armatosur dhe skena dëbimi që prekin emocionalisht edhe kalimtarët e rastit.
Ky projekt i ri i Bashollit pritet të trajtojë historinë e dhunës, dëbimit dhe kujtesës kolektive, duke e vendosur ngjarjen në një rrëfim njerëzor për fatet e grave dhe familjeve që u prekën nga lufta.

Pamjet pranë stacionit të trenit sot dëshmuan se kultura dhe historia po takohen sërish në Prishtinë, përmes kinemasë që synon jo vetëm të kujtojë të kaluarën, por edhe të sjellë reflektim e ndërgjegjësim për të tashmen. /Telegrafi/




























































