Quagliarella ndërron mendje: Goli me thembër ishte më i bukuri në karrierë, por pata pakëz fat

Sulmuesi i Sampdorias, Fabio Quagliarella, ka pranuar se pasi e ka rishikuar golin ndaj Napolit, mendon se është goli më i bukur në karrierën e tij, por beson se pati edhe pakëz fat.
35-vjeçari i shënoi një gol të bukur me thembër ish-skuadrës së tij, ndërsa pas ndeshjes theksoi se ishte njëri prej tre golave më të bukur në karrierë.
Mirëpo, pasi e ka rishikuar, ka ndërruar mendje dhe mendon se goli ndaj Partenopei është më i bukuri që e ka shënuar ndonjëherë.
"Edhe nëse nuk do të doja ta shikoja prapë, më bënin 'tag' në rrjetet sociale", ka thënë Quagliarella duke qeshur në Memorial Scirea.
"Pasi e rishikova, mendoj se ishte më i bukuri. Thuajse qëndrova në vend, ishte një moment i një çmendurie të ndritshme".
"Në goditje të tilla duhet të kesh edhe një përqindje fati. Ose e ke përbrenda të provosh diçka të tillë ose nuk e ke, sulmuesit jetojnë në bazë të instinktit".
"Kam marrë shumë mesazhe nga Napoli, por të gjitha janë komplimente dhe urime", ka thënë italiani.
Si një ish-sulmues i Juventusit, Quagliarella është pyetur edhe për Cristiano Ronaldon, i cili akoma nuk ka shënuar me fanellën bardhezi.
"Ai i ka shënuar golat më të bukur, atij nuk i nevojitet një me thembër si unë. E admiroj shumë", ka shtuar sulmuesi. /Telegrafi/










































