QKUK: 40-vjeçarja që u gjet e vdekur brenda oborrit, po trajtohej në Klinikën e Psikiatrisë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se një paciente rreth moshës 40-vjeçare, e hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë, ka ndërruar jetë si pasojë e vetëvrasjes.
Sipas njoftimit të QKUK, pacientja ishte e shtruar në repartin e hapur të klinikës, ku pacientët lejohen të lëvizin jashtë dhomave, në përputhje me protokollet mjekësore dhe të drejtat e pacientëve.
“Menaxhmenti i QKUK-së, pasi ka pranuar informatën, ka kërkuar raport të detajuar nga drejtoria e Klinikës së Psikiatrisë. Aktualisht kanë nisur procedurat për shqyrtimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
QKUK ka theksuar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në përputhje me gjetjet që do dalin nga raporti zyrtar, si dhe do të angazhohet për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve psikiatrike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen./Telegrafi/



































