Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka njoftuar se gjatë muajit dhjetor do të ofrohen shërbime mjekësore falas nga një mjek specialist nga Gjermania.

Sipas njoftimit zyrtar, mjeku shqiptar që vepron në Gjermani, Dr. Metush Qorrolli, do të qëndrojë për vizita mjekësore më 26 dhe 30 dhjetor, duke filluar nga ora 14:00. Trajtimet do të jenë pa pagesë dhe do të fokusohen në probleme ortopedike, si dhe në dhimbje akute dhe kronike.


Në kuadër të këtyre vizitave do të trajtohen dhimbjet e shtyllës kurrizore, përfshirë herniet diskale dhe ngushtimin e kanalit spinal, dhimbjet e nyjeve si pasojë e artrozave, si dhe dhimbjet e kokës, përfshirë migrenën, dhimbjet tensionuese dhe neuralgjinë trigeminale. Po ashtu, do të ofrohet trajtim për dhimbje kronike neuropatike, osteoporozë, fibromialgji, dhimbje të shkaktuara nga sëmundjet malinje, si dhe sëmundje të rralla të eshtrave.

Nga QKMF në Shtime bëhet e ditur se caktimi i terminit është i obligueshëm dhe se përparësi do të kenë rastet sociale. Qytetarët e interesuar mund të caktojnë termin te kryeinfermierja e Mjekësisë Familjare, në katin e dytë të QKMF-së, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 15:30.

Numri i pacientëve që do të mund të përfitojnë nga këto shërbime është i kufizuar. /Telegrafi/