Qeveria miraton shpronësimin e pronave për projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë
Në mbledhjen e 269-të të Qeverisë në detyrë të Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe kabineti qeveritar miratuan një varg vendimesh që lidhen me investime dhe projekte infrastrukturore në komunat e vendit.
Një nga vendimet kryesore ishte shpronësimi i pronave që preken nga realizimi i projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë, ku aktualisht po ndërtohen dy ndërtesa me 133 njësi banesore, përcjell Telegrafi.
Nga këto, 106 janë të dedikuara për banim të përballueshëm, ndërsa 27 për banim social, në një sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 20,000 metra katrorë.
Vlera e investimit arrin në afër 13.6 milionë euro, ndërsa punimet vazhdojnë sipas planit të projektit.
Qeveria theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe ofrimin e banesave të përballueshme për qytetarët e Podujevës.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të politikave të qeverisë për zhvillimin urban dhe mbështetjen e qytetarëve me nevoja të ndryshme banimi. /Telegrafi/






























