LAJMI I FUNDIT:

Qeveria Hoti ende në bisedime për ‘detaje’

Qeveria Hoti ende në bisedime për ‘detaje’

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se janë afër finalizimit të marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe minoritetet.

Sipas një zyrtari të lartë në LDK që është pjesë e këtyre takimeve kanë mbetur vetëm disa çështje të fundit për marrëveshje.

“Ende në bisedime për disa ‘detaje’”, thotë ky zyrtar i LDK-së për Telegrafin.


Gjithashtu LDK ende nuk i ka finalizuar krejt emrat e kësaj partie për ministra.

Ndryshe, nga AAK është përmendur emri e Besnik Tahiri si zv. kryeministër, ndërsa në pozitat e ministrave pritet të jenë Blerim Kuqi, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj – Stublla.

Edhe Lista Serbe do të ketë një zëvendëskryeministër dhe së paku dy ministri.

Njëjtë do të jetë edhe për NISMA Socialdemokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj, i cili pritet të jetë po ashtu zv.kryeministër dhe të ketë së paku dy ministri.

Ajo që ende nuk dihet është çfarë pozita do të ketë AKR e Behgjet Pacillit në këtë qeveri të mundshme.

Pacolli mund të jetë zv.kryeministër ose partisë së tij t’i ofrohet ndonjë pozitë ministrore.

Gjithashtu Telegrafi ka raportuar në vazhdimësi edhe për qëndrimet e partive dhe deputetëve të minoriteteve që nuk vijnë nga pakica serbe në Kosovë.

Grupi parlamentar 6 + pritet që sonte të marr vendim pro ose kundër mbështetjes së Qeverisë Hoti.

Qeveria Hoti mund të bëhet vetëm nëse në Kuvend arrin t’i sigurojë 61 vota të deputetëve. /Telegrafi/