Pyete dritën e diellit mbi një qen që fle: “Një letër për Xhevdet Bajrajn” nga Jeff Weddle

Recension (Weddle, Jeff. 2025. Letter to Xhevdet Bajraj. Ellicott City: UnCollected Press.)
Nga: Peter Mladinic
Përktheu: Fadil Bajraj
Jeff Weddle është poet që lexon poetë të tjerë. Jeff Weddle është filozof, idetë e të cilit nuk vijnë nga librat, por nga jeta e jetuara, nga miqtë e së tashmes dhe të së kaluarës, nga familja dhe nga njerëzit e takuar gjatë rrugës. Një udhëtar, një kërkues, një bir, një bashkëshort dhe një baba, ai flet për të kaluarën dhe për të tashmen. Libri i tij i ri, Letter to Xhevdet Bajraj [Një letër për Xhevdet Bajrajn], flet për njerëzit me të cilët ka kaluar kohë. Përvojat e tij të veçanta - dehjet në bare me miq, shikimi i lindjes së diellit në Ki-Uest, imagjinimi i një shkrimtari nga vitet 1940 duke shëtitur në park - pasqyrojnë gjendjen njerëzore. Dashuria familjare dhe vëllazërore, dashuria seksuale, dhe dashuria për jetën janë temat e Jeff Weddleit. Po e citoj Ron Whiteheadin: “Poezitë e tij janë vërtet të mrekullueshme.”
Poezitë për dashurinë ndaj jetës sugjerojnë se njerëzit ndikohen nga fati dhe, nëse janë mjaft me fat, njerëzit jetojnë sipas zgjedhjeve të tyre. Kujdesi për të tjerët është çelësi, jo për një marrëdhënie personale me një fuqi më të lartë, por për një marrëdhënie personale me veten. “Kështu ishte” me përsëritjet e saj si këngë, imazhet e sakta dhe elementët prekës narrativë, hap librin.
Dëgjoni muzikën në zërin e dikujt që ka qenë në prag të vdekjes.
I dehur në San Francisko, i dehur në Ki-Uest,
i dehur në Dejtona, në Shën Agustin,
Nju Orlins, Denver, Nju-Jork, Boston,
Kolumbus, Konkord, Memfis, Sent-Luis,
Kanzas-Siti, Neshvill, Luisvill, Leksington.
Në të gjithë Mejnin. Aty-këtu në Kanada.
Bare të mira, bare të këqija, bare ku dëshpërimi
është standard, bare ku mund të të vrasin
dhe klube të trishta striptizi.
Po gardhohem. Thika më e keqe
për zemër. Curtis po flet me mua
sikur të isha esëll dhe zgjuar
që të mos më arrestonin policët
në atë gjellëtore në Uest Virgina.
I dehur në trotuare që nuk më kujtohen.
Ritmi i Weddleit ndërtohet e ndërtohet derisa lexuesi i tij është pikërisht aty në dritën fluoreshente të asaj luge të yndyrshme, dëshmitar i një akti të vogël dhembshurie që ndryshon rrjedhën e gjërave. Ndërsa ka një trishtim në këtë fragment, nuk ka keqardhje. Në fund të poezisë lexuesi arrin te “Unë jam ... aq i mirë sa mundem të jem”, gjë që flet për të gjithë. Dashuria për jetën është çështje malli dhe festimi privat, “cilësia e dritës / që ngulitet në gjoks / dhe e bën frymëmarrjen / pothuajse të shenjtë.” Të duash jetën do të thotë të jetosh në botën reale, të hidhur dhe të ëmbël. “Pranoje” fillon, “Ti gjithmonë do të jesh përbindëshi / për mizën” dhe përfundon: “Miza të urren, megjithëse ti / je plot dashuri. Bota është pikërisht kështu, e padrejtë.”
Dashuri seksuale. Në “Një takim rastësie”, poeti flet për “një qytet / që të gjithë e dinë përmendësh / por nuk mund ta gjejnë kurrë?” Pikëpyetja e lë vargun të hapur, një referencë për jetën e papërfunduar të dy personave në poezi. Dashuria seksuale shpreh dëshirë. “Ménage à Trois” përfshin një djalë dhe një vajzë me të cilën është, dhe vajzën me të cilën dëshiron të jetë. “Takim i humbur në motel” flet për dashurinë dhe vdekjen. Një çift i ri është në një dhomë që ishte zënë nga një person që tash është i vdekur, dhe kufoma e të cilit, pa dijeninë e tyre, është ende atje. “Edhe kjo nuk i ka penguar. / Lakuriq, në ekstazën e tyre, ata e thithnin atë, gëlltitnin ajrin e ndotur.” “Në kujtim të një gruaje që nuk e kam njohur kurrë” është spekulative. “Nata, a të kujtohet, ishte e mbushur me nevojë të mbytur dhe dëshirë të zbehtë.” “Gjithçka që ju nevojitet është dashuria” tregon një histori dëshire, “vajza që punonte në dyqanin e luleve / gjakonte për prekjen / e djalit kroat / i cili ia sillte qumështin.” Në “E doja Lucyn”, dashuria është romantike. Folësi i jep një vajze lule në një shishe pijesh që i kishte “mbledhur / buzë rrugës”. Në “Dashnorët e dashuruar”, dashuria është e dëshpëruar, “Është ai lloj i dashurisë / që shkatërron gjumin / por që ushqen ëndrrat. Dhe në “Në Winn Dixie”, dashuria është e përkohshme. “Arkëtarja e bukur” ka dy konsumatorë: njëri ka të veshur fanellën me mbishkrimin “Lexo libra të ndaluar” ndërsa ai tjetri largohet i pakënaqur.
Ne e shikuam atë duke u larguar
dhe pastaj ajo më tha:
“Kjo ndodh ndoshta sepse thashë
se më pëlqente fanella jote.”
Unë u pajtova dhe ajo buzëqeshi për merak.
Ai tipi ishte i moshuar
ndërsa unë jam i sigurt se jam më i vjetër se ai,
ama unë mora një buzëqeshje nga vajza e bukur
dhe ai ndihej i mjerë si mut i dhjerë.
Kjo është ajo që unë e quaj një udhëtim
të suksesshëm në dyqan.
Dashuria për miqtë është kalimtare, aq më e çmuar sepse një ditë nuk do të jetë më, ashtu siç nuk do të jemi as ne. “Mbi gjetjen e Fernando Pessoas në një me diell në maj” feston dhuratën e miqësisë. Poeti mëson se miku i tij Fadili është gati të botojë një përkthim të poezive nga një poet me të cilin ky nuk është i njohur. Kështu që ai gjen poezitë e poetit Pessoa dhe kënaqësia e tij reflektohet në mënyrën se si e përshkruan oborrin e tij dhe “dielli / ende shkëlqen në lëndinën time. / Pessoa bëhet ombrellë e madhe e kuqe / që i lidh të gjitha së bashku”. Duke folur për vendin, “Ditë për ditë” është një poezi “foleje bosh”, për “filxhanë kafeje dhe kujtime”, dhe fëmijë të rritur që janë larguar nga shtëpia. Poezia titullare e librit, “Një letër për Xhevdet Bajrajn”, është prekëse. Ajo i drejtohet vëllait të ndjerë të mikut të dashur (dhe përkthyesit) të Jeff Weddleit, Fadil Bajraj. “Fadili është i mahnitshëm, dhe ti / duhet të jesh vëllai i tij”. Poezia e Weddleit “Kur të bëhem gjashtëdhjetë e katër vjeç”, kushtuar gruas së tij, Jillit, është një deklaratë dashurie, pasionante në ndërgjegjësimin e saj se, në fund të fundit, “bota“ nuk “do të na mbajë.” Libri përfundon me një kujtim të nënës së poetit si vajzë, e cila pati mundësinë të shkonte nga Kentaki në Çikago dhe të takonte një nga zemërthyesit më të famshëm të kohës, këngëtarin Vic Damone. Është edhe një poezi për poetin që qëndron pranë shtratit të të atit në momentet e tij të fundit në spital, dhe një kujtim të të qenit me të atin në një berberhane, një nga poezitë më të forta dhe më të dashura në këtë libër ose në cilindo libër tjetër. Babai i tij në fund u bë “profesor i psikologjisë”. Në poezinë “Qethja”, ai thotë:
Ama mua më kujtohet
se si m’i prente flokët,
m’i lante me shampo
dhe me shkumë
m’i bënte brinat në kokë.
Nuk mund të isha më shumë
se tri a katër vjeç
ndërsa babai im ishte i madh dhe i fortë
dhe i përjetshëm.
Dhe tash, këtu po rrimë ulur.
Një alamet force kujtimesh, e denjë për t’u antalogjizuar, kjo poezi dashurie nga një bir për të atin e vendos lexuesin “pikërisht aty”.
Talenti i Weddlet për të përfshirë lexuesin buron nga leximi i poetëve të tjerë dhe nga shkrimi pa zëra të tjerë në kokën e tij përveç të vetit. Një kërkues, ai shkon direkt te “ajo që ka rëndësi” dhe e shndërron atë në një gjuhë elegante. Në “PNP George”, një kujtim i mikut të tij e ka shtyrë të thotë: “Brenda pesë minutash qeshnim / dhe na dukej vetja si leckë, ama ishte e vërtetë.” “Dëgjomë tash”, që flet për shkrimin, është një metaforë për të jetuarit. Dëgjoji të tjerët, ama pastaj vazhdo dhe bëj atë që mendon se është e drejtë për ty. Ai e thotë troç: “Thuaj çfarëdo gjëje të hamamtë / që dëshiron të thuash.” Jij vetvetja, në këtë të ndërlikuar, tragjike dhe të bukur. Në Një letër për Xhevdet Bajrajn, shumë të vërteta fshihen në sipërfaqet e poezive të shkruara sepse duhej të ishin të shkruara, dhe për gëzimin që Jeff Weddle ndjeu duke i shkruar ato. /Telegrafi/



















































