LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët teknikë në Prishtinë kërkojnë rritje pagash prej 4%

Punëtorët teknikë në Prishtinë kërkojnë rritje pagash prej 4%

Rritje të pagave prej 4 për qind dhe kthimi nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, janë kërkesat kryesore të punëtorëve teknikë të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe punëtorëve teknikë në 6 shkolla të kryeqytetit, të cilët sot kanë mbajtur grevë njëditore.

Në rast të mos plotësimit të këtyre kërkesave, ata paralajmërojnë se greva do të përshkallëzohet, duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme.

Këta punëtorë deri në vitin 2009 kanë qenë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, por nga ai vit kanë kaluar në kompani private, e për çka ata thonë se edhe atëherë kanë qenë kundër.


Janë rreth 50 punëtorë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare që sot kanë mbajtur grevë, ndërkohë që në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë 10 punëtorë që sot ani pse kanë qenë në vendin e punës nuk kanë punuar.

Punëtorja teknike në këtë qendër, Gjyla Sopi, ka thënë se po kërkojnë vetëm të drejtat e tyre dhe asgjë më shumë.
“Sikur krejt punëtorët që kanë kërkuar rritje të pagave, edhe ne kemi dalë për të kërkuar rritjen e pagave, meqë kemi shumë punë dhe neve komuna na ka kthyer me kompani private, ne gjithmonë kemi kërkuar prej Shpendit, kryetarit të Komunës, të na kthejnë nën menaxhimin e Komunës. Disa herë Shpendi na është përgjigjur, por nuk ka pasur mundësi të na kthejë, na kanë premtuar se duhet me u kthye. Të ardhurat i kemi shumë të vogla, i kemi 240 euro na duam me na barazuar me krejt higjienat që janë nëpër fshatra”, deklaroi ajo.

Sopi paralajmëron se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat, duke thënë se do të shkojnë deri në fund vetëm që kërkesat e tyre të realizohen.

Në grevë kanë qenë edhe 11 punëtorët teknikë të shkollës “Naim Frashëri”, ku Nazif Hyseni ka thënë se kërkojnë me ngulm të kthehen nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.

“Me i pas të drejtat e barabarta si na që jemi privat si ata që janë me shtet. Për këtë arsye ne kemi hy në grevë një ditore. Kushtet nuk janë duke na i plotësuar sikur ata që janë me shtet sikur ne në privat, vetëm neve 6 shkollave fillore kjo është shumë e padrejtë. Në fillim, kur na kanë dhënë, 2009, na kanë dhënë pa na pyet hiç dhe na kanë dhënë me kusht se do të jetë veç si pilot-projekt, nëse ka sukses të privatizohen të gjitha shkollat në Komunë të Prishtinës. Asnjë nuk janë privatizuar vetëm ne 6 shkollat. Ne jemi duke kërkuar të drejtën tonë që edhe neve të na kthejnë nën menaxhimin e komunës ose le t’i privatizojnë edhe të tjerat shkollat. Ne jemi vetëm të drejtën tonë duke e kërkuar”, tha Hyseni.

Në grevë sot kanë qenë punëtorët teknikë edhe të shkollave “Dardania”, “Eqrem Qabej”, “Gjergj Fishta” ,“Hoxhë Kadri Prishtina” , “Pjetër Pogdani” , “Asim Vokshi” dhe “Ismail Qemaili”. /Kp/Telegrafi/