Mungesa e sigurisë në punë po u kushton me jetë punëtorëve kosovarë. Tre punëtorë janë mbytur në vendet e tyre të punës, brenda katër muajve të parë të këtij viti. Rasti i fundit ka ndodhur në kompaninë ndërtuese Al Trade. Punëtori i kësaj kompanie, Driton Qorri, gjeti vdekjen derisa ishte duke punuar për ndërtimin e burgut, në Dyz të komunës së Podujevës, shkruan Express.

Ai ishte duke punuar në një fabrikë të betonit në këtë kompani, derisa mori lëndime të rënda, të cilave nuk arriti t’u mbijetojë. Këtë e ka konfirmuar për Express, menaxheri i Al Trades, Bajram Gashani.


Ai tregon se Dritoni ishte punëtor i kësaj kompanie dhe ishte kontraktuar për ndërtimin e burgut në fshatin Dyz të komunës ë Podujevës. “Ishte duke bërë një pastrim aty dhe rastësisht është aktivizuar një sensor duke punuar dhe ka pasur një gjysmë rrotullim dhe ka ndodhur një lëndim dhe pastaj punëtori ka pasur edhe gjakderdhje dhe nuk ka mundur të mbijetojë”, thotë Gashani.

Në një punishte tjetër të po kësaj kompanie, ai tregon se po të njëjtën ditë një punëtor tjetër ka marrë lëndime, por i cili është në gjendje të mirë.

Kryetari i BSPK’së, Haxhi Arifi, i shqetësuar për vdekjen e punëtorëve në vendet e tyre të punës, u bën thirrje punëdhënësve që t’i respektojnë normat ligjore. “Është alarmante që për një kohë të shkurtër të jenë të gjitha këto raste, e për këtë bëj thirrje që të respektohen normat ligjore, duke siguruar kështu siguri të gjithë punëtorëve në punë”, thotë Arifi.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Basri Ibrahimi thotë se siguria në punë ende nuk është në nivelin e duhur, sepse si kompanitë më shumë i kanë kushtuar rëndësi Ligjit të punës sesa sigurisë në punë. “Punëtorët nuk janë mirë të pajisur me mjete personale, e punëdhënësit nuk kanë bërë as testimin e rrezikshmërisë në vendin e punës”, thotë Ibrahimi.

Vitin e kaluar, ai tregon se kanë shqiptuar 136 gjoba që lidhen edhe me mungesën e sigurisë në punë. E, vitin e kaluar, ai tregon se kanë pasur 10 të vdekur në vendet e tyre të punës, ndërkaq rreth 30 punëtorë të tjerë të lënduar. /Telegrafi/