Pula: Juridikisht Kosova është në luftë me Serbinë

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka komentuar deklaratën e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në një status në platformën “Truth” ka përmendur edhe çështjen e Kosovës në kontekstin e krizave globale.
Sipas Pulës, është domethënëse që Trump e ka përfshirë Kosovën në një listë të krizave që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
“Është pozitive që e ka identifikuar si një çështje urgjente. Kjo përplasje e gjatë me Serbinë është bërë shumë e lodhshme, e kushtueshme dhe neveritëse”, tha ai në Tv Dukagjini.
Ai theksoi se Kosova gjendet ende në një “luftë juridike” me Serbinë, pasi mes dy shteteve nuk ekziston një marrëveshje përfundimtare paqeje.
“Ne kemi përfunduar një front lufte, por juridikisht nuk kemi pakt paqeje me Serbinë”, deklaroi Pula.
Ai sugjeroi që këshilltarët e Trump duhet të rishikojnë si modele dy paktet e paqes të nënshkruara në vitin 1991 mes Sllovenisë dhe ish-Jugosllavisë, si dhe në vitin 1996 mes Kroacisë dhe Serbisë.
Pula vlerësoi rolin potencial të SHBA-së, përfshirë Trumpin, në ofrimin e një zgjidhjeje përfundimtare, por theksoi se kjo duhet të bazohet në njohje të saktë të kontekstit historik dhe juridik të konfliktit.
Ai përmendi opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e ka konfirmuar të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Kosovës për shtetësi.
“Në 4 shtator 2020, pati një iniciativë dhe disa zotime me karakter ekonomik, përjashtuar njohjen nga Izraeli, por nuk pati ndonjë propozim që ofronte zgjidhje përfundimtare për problemin politik mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Pula.

















































