Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar të mërkurën një tryezë me rastin e publikimit të raportit “Sfidat ligjore të personave LGBTIQ+ dhe gazetarëve në Kosovë”, ku u prezantuan të gjeturat mbi problemet me të cilat përballen këto dy grupe në sistemin e drejtësisë.

Në këtë raport u theksua se sfidat kryesore për komunitetin LGBTIQ+ përfshijnë mosnjohjen juridike të bashkësisë civile, problemet pronësore, trashëgimore e pensionale, si dhe procedurat për ndërrimin e gjinisë dhe emrit.


Ndër sfidat më të mëdha mbetet edhe mungesa e njohjes ligjore të martesës mes personave të gjinisë së njëjtë.

Gjatë tryezës, Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se përmes këtij projekti kanë arritur të përfaqësojnë me sukses gazetarë në rastet e tyre në gjykata.

“Në shumë raste kemi pasur rezultate të suksesshme ku kemi fituar lëndë në gjykatë, në përpjekje për të ndihmuar në përmirësimin e të drejtave të gazetarëve”, tha Miftaraj.

Panelistët theksuan nevojën për forcimin e politikës ndëshkimore ndaj rasteve që lidhen me grupet e margjinalizuara dhe gazetarët. Gjyqtari Kreshnik Kaçiu tha se autorët e veprave penale ndaj këtyre grupeve duhet të ndëshkohen sipas ligjit me masa më të ashpra.

Prokurori Armend Hamiti, përveç sfidave ligjore, theksoi rëndësinë e rritjes së vetëdijes publike lidhur me të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ dhe gazetarëve.

Arbër Nuhiu nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, vlerësoi se mosnjohja ligjore e martesës së personave të gjinisë së njëjtë sjell pasoja direkte edhe në të drejtat e trashëgimisë, duke shtuar se ankesat e këtij komuniteti zakonisht adresohen më parë në organizata joqeveritare sesa në institucionet shtetërore.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, kritikoi dënimet e buta për sulmet ndaj gazetarëve, ndërsa kërkoi forcimin e mbrojtjes për këtë kategori.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Astrit Kolaj, prezantoi raportin, duke bërë të ditur se janë analizuar dy aktgjykime që lidhen me raste të viktimave nga komuniteti LGBTIQ+, të cilat ishin trajtuar brenda afateve të arsyeshme kohore. Ai vuri në dukje se politika ndëshkimore për rastet e dhunës dhe kanosjeve ndaj gazetarëve mbetet e ulët.

Në fund të prezantimit, Kolaj shtoi se në mungesë të një kuadri të qartë ligjor, mediat ballafaqohen edhe me sfida sa i përket përgjegjësisë për komentet e paligjshme të personave të tretë në publikimet e tyre në rrjetet sociale.