PSG fiton derbin ndaj Marseille, Icardi vazhdon të shënojë

Paris Saint-Germaini e ka nëpërkëmbur skuadrën e Marseille (4-0), në derbin e javës së 11-të në Ligue 1.
Në takimin e zhvilluar në Parc de Princes, vendasit ishin të pamëshirshëm që nga fillimi i takimit duke e zhbllokuar rezultatin që në minutën e dhjetë përmes Mauro Icardit.
I njëjti futbollist e dyfishoi epërsinë në minutën e 26-të pas asistimit nga Marco Verratti, për të vazhduar kështu me formën e mirë.
Në vazhdim erdhi radha e Kylian Mbappe, i cili e shënoi golin e tretë (32') pas asistimit nga Angel Di Maria.
Francezi e shënoi edhe golin e katërt dhe të fundit për nikoqirët (44'), ndërsa sërish asistues ishte anësori argjentinas.
Paris Saint-Germaini është pa konkurrencë në krye të tabelës me 27 pikë, ndërsa Marseille ndodhet në vend të shtatë me 16 pikë të arkëtuara. /Telegrafi/




















































