LAJMI I FUNDIT:

Pse veriu i Kosovës është strehë e grupeve kriminale?

Pse veriu i Kosovës është strehë e grupeve kriminale?

Tetë vjet prejse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për integrimin e institucioneve serbe të drejtësisë dhe sigurisë nga veriu i Kosovës në sistemin qendror, në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara gjenden emra pikërisht nga kjo pjesë e Kosovës.

Të qenët e një personi në “listën e zezë” nënkupton aplikimin e sanksioneve amerikane kundër tij. Sanksionet bllokojnë pronën e individëve, ndërsa shtetasve amerikanë ua ndalojnë bashkëpunimin me ta.

Njerëz nga veriu i Kosovës janë futur në listën e zezë të SHBA-së, sepse, siç është thënë, ata kanë marrë pjesë në rrjete korruptive, të lidhura me krimin e organizuar transnacional.


Veriu i Kosovës përbëhet nga katër komuna me shumicë serbe, të lidhura territorialisht: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Ato kanë filluar të funksionojnë në sistemin e Kosovës në vitin 2013, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vesellinoviq dhe njerëzit rreth tij

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, beson se institucionet e Kosovës nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet, gjë të cilën, siç thotë, e ka konfirmuar edhe lista e zezë e Departamentit amerikan të Thesarit, e publikuar më 8 dhjetor.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Miftaraj thotë se grupi kriminal, i cili është përfshirë në listën e zezë të SHBA-së, është i njohur në mbarë Kosovën.

Sipas tij, ai “bën biznes shumë lehtë”, sepse “e ka mbrojtjen e politikanëve dhe institucioneve të drejtësisë”.

“Mesazhi që SHBA-ja ka dashur t’u dërgojë institucioneve të Kosovës, është se ato nuk po e bëjnë punën e tyre, nuk i kanë hetuar apo ndjekur penalisht [anëtarët e grupit kriminal]”, thotë Miftaraj.

Ai shton se vendet që nuk janë në gjendje të luftojnë korrupsionin, janë nën kontrollin e grupeve kriminale.

SHBA-ja e ka identifikuar biznesmenin Zvonko Vesellinoviq si udhëheqës të grupit kriminal nga veriu i Kosovës, ndërsa ka sanksionuar edhe dhjetëra emra të tjerë të lidhur me të.

Në vitin 2011, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka identifikuar Vesellinoviqin si një prej organizatorëve të trazirave në veri.

Bashkëpunimi i grupeve kriminale dhe politike

Verolub Petroniq, ekspert i sigurisë nga Mitrovica e Veriut, i cili është edhe kryetar i organizatës “Human Center Mitrovica”, thotë për Radion Evropa e Lirë se grupet kriminale nga veriu i Kosovës janë forcuar shumë.

Prej kohësh, thotë ai, ato i “kanë kaluar kufijtë”. Bashkëpunimi i tyre me grupet e interesit politik është gjerësisht i njohur, thotë Petroniq.

“Biznesi që lidhet me krimin, është rritur aq shumë në aspektin e parave, saqë tani edhe Serbia, edhe Ballkani janë të vegjël për të”, thotë Petroniq.

Në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit, të lëshuar më 8 dhjetor, thuhet se grupi i krimit të organizuar ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.

Petroniq beson se grupet kriminale serbe dhe shqiptare bashkëpunojnë dhe shton se institucionet e drejtësisë në Kosovë është dashur të reagojnë dhe të zbatojnë ligjin në veri të Kosovës.

Një nga mënyrat për të “dekriminalizuar veriun”, thotë Petroniq, është përmes Listës Serbe – partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, e cila është formuar me mbështetjen e Beogradit dhe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Petroniq thekson se për diçka të tillë, është i nevojshëm vullneti politik.

Përgjigjja nga Lista Serbe

Duke qenë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është në listën e zezë të SHBA-së, partia e tij ka thënë më 9 dhjetor se “akuzat e pabaza kundër serbëve nga veriu, janë një fushatë e koordinuar”, që, sipas tij, synon “dobësimin e unitetit dhe të mbrojtjes së popullit tonë në këto hapësira”.

Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018, pak muaj pas vrasjes së politikanit opozitar nga Mitrovica e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq janë përmendur në dokumentet e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Në aktakuzë, ata përmenden si “udhëheqës të një grupi kriminal”, i cili vazhdimisht ka bërë përpjekje ta vendosë Mitrovicën e Veriut nën kontrollin e tij.

Megjithatë, akuza kundër tyre nuk është ngritur kurrë, sepse ata nuk kanë qenë në dispozicion të gjyqësorit.

Për Radoiçiqin është lëshuar një urdhër arresti, por ai është tërhequr në mars të këtij viti, pa ndonjë shpjegim.

Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë të njohur edhe për organet e drejtësisë në Serbi qysh në vitin 2011, kur kundër tyre është ngritur aktakuzë për përvetësimin e 32 kamionëve nga kompania Hypo Alpe Adria Leasing.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Speciale në Beograd, në kohën kur ka filluar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Të dy janë liruar nga akuzat në vitin 2016.

Bojana Pavlloviq, nga Rrjeti për Hulumtimin e Krimit dhe Korrupsionit në Serbi – KRIK, thotë se Kosova nuk ka arritur ta shtrijë kontrollin në veri dhe se Serbia, për ta mbajtur kontrollin e saj në atë pjesë, ka bashkëpunuar me “njerëz me biografi të dyshimta”.

Ajo thotë se këta persona kanë ndikim të madh në Listën Serbe, e cila është e afërt me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

Pavlloviq thotë se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me Millan Radoiçiqin dhe se KRIK ka publikuar edhe fotografi, në të cilat Radoiçiq duket në shoqërinë e politikanit kosovar, Behxhet Pacolli.

“Paratë kryejnë punë, disa gjëra në këtë kuptim bëhen me dyer të mbyllura, jashtë institucioneve”, thotë Pavlloviq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk kanë vullnet për të zgjidhur çështjen e krimit.

Veriu i Kosovës si burim i paqëndrueshmërisë

Në listën e zezë të SHBA-së është edhe ish-shefi i operacioneve të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, për shkak të lidhjeve të tij me Zvonko Vesellinoviqin.

Bojiq ka kohë që është në arrati, pasi Prokuroria e Kosovës e ka lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Besa Ramaj, eksperte e sigurisë, thotë se veriu i Kosovës, në periudhën e pasluftës, ka qenë gjithmonë burim i paqëndrueshmërisë.

Ajo beson se e gjithë kjo lidhet me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas saj, marrëveshja përfundimtare mes dy palëve është e domosdoshme për stabilitetin e rajonit.

Ramaj i sheh sanksionet e SHBA-së si një hap pozitiv, që do të thotë se nuk do të tolerohet më destabilizimi i situatës.

“Qeveria e Serbisë ka ende ndikim të madh atje [në veri] dhe e përdor këtë si avantazh për ta çuar përpara agjendën e saj. Më vjen keq për qytetarët që jetojnë në atë pjesë. Ne kemi nevojë për një fushatë më agresive për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që dialogu të shkojë kah fundi dhe të arrihet njohja reciproke”, thotë Ramaj.

Zyrtarët e Kosovës i kanë mirëpritur sanksionet e SHBA-së kundër grupit të serbëve nga veriu i Kosovës, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet kompetente të vendit të tij do të hetojnë nëse ka “akuza të rënda”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar më 10 dhjetor mobilizim në luftën kundër grupeve kriminale, “pavarësisht etnisë”.

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori