Pse një fotografi e këngëtarit Ed Sheeran publikuar krah Johnny Depp dhe Russell Crowe po vërshohet nga një valë kritikash në internet?

Një fotografi e artistëve të njohur Ed Sheeran, Johnny Depp dhe Russell Crowe, e realizuar verën e kaluar, është rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta – veçanërisht nga fansat e Sheeran. Në pamje të parë një imazh i pafajshëm nga backstage-i i një koncerti të Andrea Bocellit pranë Firences, në korrik të vitit 2024, ka hapur sërish debat për shkak të reputacionit kontradiktor të Depp.
Në fotografinë që u publikua në platformën X nga Russell Crowe, shihet treshja e famshme duke buzëqeshur e relaksuar, me nga një gotë birrë në dorë. “Shaka në backstage-in e Teatrit të Heshtjes me Teddyn dhe Johnny-n. Perfekte. Faleminderit maestro Andrea Bocelli – një përvojë e pabesueshme”, shkroi Crowe në postim.
Megjithëse për shumëkënd kjo u konsiderua thjesht si një takim miqësor mes kolegësh, një pjesë e publikut reagoi me pakënaqësi për shkak të përfshirjes së Sheeran me Depp. Kritikat u përqendruan rreth të kaluarës së trazuar ligjore dhe mediatike të Depp, veçanërisht gjyqit për shpifje me ish-bashkëshorten Amber Heard, që u transmetua gjerësisht në vitin 2022.
Johnny Depp dhe Amber Heard u martuan në vitin 2015, por vetëm një vit më vonë, Heard kërkoi divorc dhe e akuzoi atë për dhunë fizike dhe verbale. Në një artikull të botuar në The Washington Post, Heard e përshkroi veten si viktimë të dhunës seksuale, pa përmendur drejtpërdrejt Deppin. Aktori e paditi për shpifje dhe gjatë procesit gjyqësor, pretendoi se ajo kishte qenë partnerja abuzuese.
Në fund, juria vendosi në favor të Depp dhe i akordoi atij 15 milionë dollarë si kompensim. Megjithatë, një gjykatë britanike kishte vendosur ndryshe në vitin 2020, duke konfirmuar shumicën e akuzave të Heard si të mbështetura me prova.
Megjithëse fotografia është realizuar më shumë se një vit pas përfundimit të gjyqit, ajo ka qenë e mjaftueshme për të ngjallur zhgënjim te disa fansa të Ed Sheeran. “Pra edhe Russell edhe Ed janë ‘anuluar’ tani? Po rrinë me atë tipin? Seriozisht?”, shkroi një përdorues. Të tjerë e cilësuan takimin si “të neveritshëm” dhe “të papërshtatshëm”.

Nga ana tjetër, shumë komentues dolën në mbrojtje të artistëve. “Legjenda bashkë. Le të vuajnë ata që urrejnë”, shkroi dikush. Një tjetër shtoi: “Shoh tre burra – jo aktorë apo këngëtarë, por njerëz. Me shumë gjasë janë duke kaluar kohë si miq. A nuk e meritojmë të gjithë një gjë të tillë?”
Përveç këtij momenti pas kuintave, të tre artistët morën pjesë aktivisht edhe në koncert. Ed Sheeran performoi si i ftuar special, Johnny Depp u ngjit në skenë me kitarë, ndërsa Russell Crowe provoi veten edhe si këngëtar. /Telegrafi/




























































