LAJMI I FUNDIT:

Pronat e Sasho Mijallkovit do të nxirren në ankand, vlera e tyre tejkalon shumën e 14 milionë eurove

Pronat e Sasho Mijallkovit do të nxirren në ankand, vlera e tyre tejkalon shumën e 14 milionë eurove

Driton Nebiu me të ardhur në detyrë si drejtor në Agjencinë për Konfiskim të Pasurisë, është angazhuar që pronat dhe aksionet e konfiskuara të dalin në ankand për t’u shitur. Në mesin e tyre janë edhe pronat e ish drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov, të cilat siç thotë, për arsye të panjohura nuk janë marrë në konsideratë për t’u trajtuar. Vlera e patundshmërive tejkalon vlerën prej 14 milionë euro.

“Dhe ai vendim kaloi që ne aksionet e Sasho Mijallkovit t’i nxjerrim në shitje e që me vite nuk kishte ndodhur në këtë Agjencion, arsyet nuk e di pse!? Prona tjera të konfiskuara të Sasho Mijallkovit kapin vlerën prej 14,144,000 euro, gjegjësisht janë banesa, toka për ndërtim dhe patundshmëri, dhe jemi në procedurë në fazën përfundimtare për një patundshmëri që gjendet në Gjevgjeli dhe një patundshmëri në Vila Vodno me sa më kujtohet, jemi në fazën përfundimtare, ka kaluar të gjitha filtrat brenda institucionit, në Qeveri dhe presim që shumë shpejtë, brenda këtyre ditëve të nxjerim edhe këtë tokë në shitje”, tha Nebiu.

E sa i përket rastit “Transmet” të Sead Koçanit, Nebiu ka dyshime se kjo lëndë po manipulohet. Ai thotë se ka vendim gjyqësor për konfiskimin e makinerisë për punë, ndërsa makineritë nuk janë askund.


“Vendimi përfundimtar gjyqësor është që t’i konfiskohen të gjitha patundshmëritë që ka, mjetet financiare e kështu me radhë, automjete, mirëpo për momentin në Agjencinë për konfiskim të pronës nuk kemi asnjë automjet dhe shtrohet pyetja se ku gjenden këto automjete të lëndës “Transmet”?”, u shpreh Nebiu më tej.

Për këto makineri, Nebiu ka kërkuar ndihmë nga Prokuroria Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të detektuar lokacionin e tyre. Nebiu njoftoi që në depon e veturave në Idrizovë për momentin qëndrojnë rreth 15,000 vetura. Ndryshe Agjencia për Konfiskim të Pasurisë periudhën e fundit nga mjetet e konfiskuara ka realizuar donacione për komuna, institucione të ndryshme shëndetësore, arsimore e të tjera. Donacionet janë veshmbathje, pajisje shëndetësore, materiale shkollore, ushqim dhe automjete e të cilat janë konfiskuar me vendim gjyqësor.

“Ne konkretisht kemi dhuruar mbi 2020 pajisje. Kjo përmban gjësende shkollore, materiale shkollore dhe veshmbathje për fëmijët e atyre shkollave. Kemi donuar edhe mbi 15-16 institucione shëndetësore, kemi dhuruar gjësende të ndryshme medicinale, kemi dhuruar gjëra ushqimore për të mirëmbajtur kuzhinat e tyre të cilat nevojiten për pacientë, kemi dhuruar edhe në burgun e Idrizovës”, shton Nebiu.

Nebiu, shprehet se gjatë 100 ditëve të para është angazhuar për t’u dalë në ndihmë institucioneve që më së shumti kanë nevojë për materialet e konfiskuara./TV21/