Promovohen dy botime që ndriçojnë demografinë e Prizrenit dhe rrethinës sipas Defterëve të vitit 1833

Dy botime për popullsinë e Prizrenit me rrethinë sipas Defterëve të vitit 1833 janë promovuar në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
“Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (Luma, Opoja dhe Gora)” nga autori Dr. Sadik Mehmeti dhe “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas Defterëve të vitit 1833” nga autorët Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi, është thënë se janë vepra që ndriçojnë përbërjen demografike dhe shoqërore të Prizrenit dhe rrethinës në fillim të shekullit XIX, bazuar në defterët osmanë të vitit 1833.
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani ka vlerësuar se botimet në fjalë trajtojnë fillimisht historinë, pastaj edhe demografinë dhe trashëgiminë e popullsisë së Prizrenit dhe të rrethinës.
“Këto botime përfaqësojnë një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kolektiv, pasqyrojnë përkushtimin e studiuesve tanë të ndriçuar për të ofruar njohuri të thelluara për brezat e ardhshëm”, ka thënë Alishani, raporton Telegrafi.
Studiuesi nga Instituti Albanologjik, Hysen Matoshi, në cilësi të recensentit të botimit të parë ka dhënë hollësi lidhur me materien e trajtuar në vepër, duke vlerësuar punën kërkimore të autorit Sadik Mehmeti.
Ndërkaq, recensenti tjetër, historiani Parim Kosova, ka theksuar se bashkautorët Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi, me veprën e tyre kërkimore kanë mundësuar kuptimin e jetës së përditshme të popullatës së asaj kohe.
“Mbi bazën e defterëve origjinalë të shtetit osman bashkautorët kanë ndihmuar në rindërtimin e asaj periudhe dhe të kuptuarit e jetës së përditshme të popullatës, duke analizuar të dhëna mbi numrin e familjeve, profesionet që ushtronin banorët, funksionet që i bartnin individët e ndryshëm, përbërjen etnike e fetare dhe institucionet që funksionin asokohe në këto hapësira”, ka thënë Kosova, raporton Telegrafi.
Autori, Sadik Mehmeti ka bërë të ditur se këto projekte janë realizuar në kuadër të punës në Institutin Albanologjik dhe se materia studimore nuk ka qenë sfidë e lehtë, dhe në këtë rrafsh ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e kolegëve.
“Veprat që po i përurojmë janë fryt i përpjekjeve tona për të lexuar, deshifruar, interpretuar dhe për të njohur në dritën e fakteve dokumentare e zyrtare të kohës të kaluarën e këtyre trevave që në atë kohë përfshinin një territor të konsiderueshëm të Kosovës së sotme”, është shprehur Mehmeti, raporton Telegrafi.
Ndërkaq autorja Hatixhe Ahmedi, ka shprehur mirënjohje për të gjitha ata që kanë kontribuar në jetësimin e botimit, bazuar në fakte dhe dokumente zyrtare të kohës.
Në këtë organizim të pranishëm kanë qenë studiues, profesorë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët kanë shfaqur interesim për temat e trajtuara në këto dy botime. /Telegrafi/





















































