Projekti për Rindërtimin e Kadastrit në kryeqytet, Rama: Do të përfshihen zonat më dinamike të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur një takim informues me qytetarët, ku kanë nisur zyrtarisht implementimin e Projektit për Rindërtimin e Kadastrit në Kryeqytet, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
Rama thotë se ky projekt është tejet i rëndësishëm për të gjithë qytetarët, sepse përmes tij do të harmonizohet gjendja faktike e pronave me regjistrat zyrtarë, duke shmangur paqartësitë pronësore dhe duke rritur sigurinë juridike.
"Procesi do të zhvillohet pa asnjë kosto për ta, dhe do të përfshijë zonat më dinamike të Prishtinës, aty ku nevoja është më e madhe", shkroi Rama në Facebook.
Ai ka pohuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi më të drejtë, më të qartë dhe më efikas të menaxhimit të pronës në Kryeqytet./Telegrafi/


















































