Programi i LDK-së, Rukiqi: Punë, paga dhe standard më i mirë jetese

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Berat Rukiqi, ka prezantuar prioritetet kryesore të programit qeverisës të LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar fokusin në zhvillim ekonomik, punësim dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.
Sipas Rukiqit, LDK synon të investojë 5 miliardë euro për zhvillim ekonomik, me synim arritjen e një rritjeje ekonomike prej 5–7 për qind dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke përmirësuar po ashtu pagat dhe standardin e jetesës.
Programi i partisë përfshin gjithashtu mbështetje për teknologjinë, digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale, si dhe garantimin e punësimit dhe trajnimeve për të rinjtë që sapo kanë përfunduar studimet.
Rukiqi thekson se për sektorin publik janë parashikuar paga më të mira për mësuesit, policët, ushtarët dhe zjarrfikësit, ndërsa për çiftet e reja dhe familjet parashikohet mundësia e blerjes së banesave pa kamatë.
Një tjetër prioritet është pavarësia energjetike përmes ndërtimit të centraleve të gazit dhe projekteve të mëdha në energji të ripërtëritshme, si dhe nxitja e përdorimit të veturave elektrike pa tarifa doganore.
Programi i LDK-së përfshin edhe zhvillimin e qendrave turistike në Brezovicë dhe Pejë, duke e shndërruar Kosovën në destinacion modern për turizëm malor dhe dimëror. Rukiqi thekson se këto politika synojnë zhvillim real dhe projekte konkrete për qytetarët, duke shmangur çdo formë popullizmi.









































