Abit Hoxha: Është paradoksale të shkruash diçka që s’beson, bashkautorësia është përgjegjësi e përbashkët

Abit Hoxha, asistent profesor në universitetin “AGDER” të Norvegjisë, ka komentuar reagimin e profesoreshës Jana Arsovska lidhur me bashkautorësinë e një punimi shkencor me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha, i cili është zgjedhur sëfundi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas reagimeve të shumta për shkrimin në fjalë, Arsovska kishte thënë se Basha është përgjegjës vetëm për një kapitull të artikullit, ndërsa pjesët tjera janë të saj.
Por, profesori Hoxha tha se një pretendim i tillë nuk e përjashton përgjegjësinë e bashkautorëve.
Sipas tij, kur bëhet një punim shkencor, autori duhet të pajtohet me bashkëautorin pasi këto lloj publikime nuk bëhen kot.
“Një bashkëautor nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Është paradoksale të shkruash diçka që ti nuk e beson, me një autor tjetër të përbashkët. Autori duhet të pajtohet me bashkëautorin, sepse këto punë nuk publikohen ashtu kot. Arsovska tash mund të thotë çka të dojë, por bashkëautoresia ka përgjegjësi”, u shpreh Hoxha.
Po ashtu, analisti Imer Mushkolaj, konsideron se Dimal Basha është “bashkëautor”, e jo “autor kontribues”, në artikullin ku UÇK-ja portretizohet si organizatë kriminale, e financuar nga trafikantë droge dhe njerëzish.
Sipas tij, edhe po të ishte “autor kontribues” i vetëm një rreshti, ai nuk do të duhej të lejonte që emri i tij të figuronte në një punim të tillë.
"Përpjekja e tij për shfajësim vetëm sa e zhyt më thellë në honin e propagandës monstruoze, si ajo e Dick Marty-t. Dimal Basha duhet të japë përgjegjësi për propagandimin e narrativës anti-UÇK dhe akuzat që përmban artikulli, bashkëautor i të cilit është", shkroi Mushkolaj në Facebook.
Në punimin e përbashkët të Arsovskës dhe Bashës, i botuar në Global Crime Journal, pretendohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte bashkëpunuar me rrjete kriminale brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe financime nga trafiku i drogës.
Ndaj këtij shkrimi, pati reagime të ashpra në rrjete sociale./Telegrafi/











































