Prizreni nderon Komandant Petritin, hapet “Java e Remzi Ademaj – Shtigjeve të Lirisë”

Manifestimi tradicional "Java e Remzi Ademaj – Shtigjeve të Lirisë", është hapur të martën me një solemnitet të mbajtur në kompleksin muzeor të Lidhjes së Prizrenit.
Pjesëmarrësit në këtë organizim kanë nderuar jetën dhe veprën e heroit të kombit, Remzi Ademaj – Komandant Petriti.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se kohërat e vështira prodhojnë liderë, ashtu siç ka qenë edhe rasti me Komandant Petritin. Ai ka sugjeruar se duhet çmuar vlerat e luftës dhe të historisë.
“Jam i sigurt se me aktivitet tona e përkujtojmë pjesën më të lavdishme të historisë së re të kombit shqiptar”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj ka shprehur qëndrimin se kjo ngjarje shënon kujtimin, lavdinë e përjetësimin e veprës së Komandant Petritit.
“Detyrë e përgjegjësi e secilit nga ne është që çdo ditë përmes dijes, punës së ndershme përkushtimit qytetar ta nderojmë dhe lartësojmë UÇK-në dhe ta mbajmë gjallë kujtimin për heronjtë tanë”, ka thënë ajo, raporton Telegrafi.
Mirënjohje për organizimin e kësaj jave ka shprehur kryetari i OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha si dhe vëllai i Komandant Petritit, Hamit Ademaj.
Gjatë kësaj jave, në organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit, nxënësit e shkollave të Prizrenit testojnë dijen në lëndë të ndryshme si dhe zhvillojnë gara sportive e kulturore. /Telegrafi/






















































