FC Prishtina 01 është skuadra fituese e trofeut “Adem Jashari” në edicionin e 14-të me radhë të këtij turneu, i cili organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës nëpërmjet Komisionit të Futsallit, në kuadër të manifestimeve për Epopenë e UÇK-së.
Në ndeshjen finale të këtij turneu, i cili u zhvillua në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, Prishtina 01 shënoi fitore bindëse ndaj Malishevës, me rezultat 6-1.
Paraprakisht në gjysmëfinale Prishtina 01 e mundi Liqenin, me rezultat 5-2, derisa Malisheva ishte më e mirë se Drenica, me rezultat 4-3.
Në fund, medaljet dhe trofeun ekipit fitues të turneut ia dorëzuan presidenti i FFK-së, Agim Ademi, gjenerali Musa Jashari dhe drejtori për kulturë, rini e sport në komunën e Skenderajt, Alban Berisha.