Gazetarja dhe prezantuesja angleze, Dame Deborah James, ka postuar një fotografi zemërthyese në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet babai i saj duke ia krehur flokët në ditën e baballarëve, pasi asaj nuk i ka mbetur forcë për ta bërë vetë.
Në postim, 40-vjeçarja dukej e brishtë e ulur në një karrige, ndërsa babai i saj Alistair ia krihte flokët.
“Gëzuar Ditën e Babait! Po, babi po mi kreh flokët, sepse nuk kam më forcë ta kreh këtë”, ka shkruar krahas publikimit.
Deborah po qëndron në shtëpinë e prindërve të saj në Woking, ku po merr kujdesin e fundit të jetës pas një beteje të guximshme pesëvjeçare me kancerin e zorrëve.
Nëna e dy fëmijëve e ka dokumentuar betejën e saj të guximshme me ndjekësit e saj besnikë që nga fillimi i mjekimit para vitesh.
Momenti prekës vjen pasi ajo shkroi një mesazh tronditës, ndërsa përgatitej për Ditën e Babait të dielën.
Aktivistja i këshilloi njerëzit që t’u thoshin prindërve të tyre se i duan pa masë, ndërsa diskutoi për djalin e saj 14 vjeçar, Hugo.
“Nuk kam qenë gjithmonë e prirë për t’i thënë babait se sa shumë e dua, kështu që merreni nga unë, thjesht thuaje. Asnjëherë nuk e dini se kur mund të jetë shansi juaj i fundit”.
“Është shumë e vështirë kur e mendoj se nuk do të arrij ta shoh djalin tim kur të jetë bërë baba”, ka thënë moderatorja për The Sun.
Deborah kohët e fundit zbuloi se po vazhdonte të ndihej e bekuar që kishte një ditë tjetër për të jetuar dhe se tashmë kishte mbijetuar diagnozën e jetëgjatësisë që kishte marrë nga spitali. /Telegrafi/