Presidentja ‘mendohet’ për emërimin e Hamzës

Pas zgjedhjes së Hamzës me votat e deputetëve të pushtetit dhe bojkotin e opozitës, vlerësohet se tashmë ka mbetur vetëm presidentja që të pengojë atë që po quhet si zaptim i BQK-së nga një njeri i PDK-së.
Ndërsa, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes ka thënë për Telegrafin se presidentja Jahjaga do të ndjek procedurën kushtetuese dhe ligjore për nënshkrimin apo kthimin e vendimeve që i merr Kuvendi i Kosovës, e në këtë rast edhe për zgjedhjen e drejtorit të BQK-së.
“Për vendimin nëse presidentja do ta nënshkruajë apo jo këtë zgjedhje të Kuvendit, opinioni do të njoftohet në afatin ligjor”, ka shpjeguar Vllahiu.
Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës i ka dërguar sot një letër presidentes Jahjaga, në të cilën e ka ftuar presidenten Jahjega që të ketë konsideratë për shqetësimet lidhur me pretendimet për shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi i Kosovës, kur ka zgjedhur Hamzën.
“KDI shprehë shqetësim të thellë ndaj vendimit për vendosjen e anëtarëve me libreza partiake në krye të institucioneve të pavarura dhe shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës. Zgjedhja e Hamzës për guvernator është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës”, thuhet në letrën e KDI-së.
Bedri Hamza u zgjodh në krye të BQK-së pasi që dha dorëheqje nga posti i ministrit të Financave, por përzgjedhja e tij është kritikuar ashpër si ndërhyrje e qartë e partisë në pushtet në funksionimin e institucionit kryesor financiar të vendit. /Telegrafi/
















































