LAJMI I FUNDIT:

Portret i një të harruari

Flokët, të krehura sipas modës së yjeve të hershme të filmit, i rrinin bukur mbi ballin, në të cilin po lexohej ndjenja e ndrydhur e shqetësimit. Vogëlushët ia kishin marrur këngës dhe valles. Mysafirët ishin rehatuar në ulëset e nxjerrura enkas për ta në oborrin e shkollës. Arsimtarët e tjerë tentonin që të mbanin nën kontroll festën e madhe të Ditës së Shkollës. Vetura e kaltër kishte shkuar. Vetëm balli i tij fshihte diçka. Vazhdonte të priste mysafirët dhe të pranonte përgëzimet e tyre për këtë vit shkollor. Përpiqej të koncentrohej në recitimet e çupave dhe çunave, të veshur e të stolisur si më së miri. Herë pas here, shikonte arsimtarin që kishte përgatitur programin festiv të kësaj dite dhe, me kënaqësi, i duartrokiti një nxënësi të bukur e të shëndetshëm, që në rroba kombëtare, po deklamonte se kjo tokë vetëm shqiptarë do të rritë…

Polici serb kishte qenë i prerë. “Ose do ta ndërpreni programin, ose ti do të vish në stacion! Nga aty, në spital, të çojmë ne!”, i kishte klithur në fytyrë drejtorit në zyrë. Ia kishte përmendur edhe arsimtarin që kishte përgatitur atë program, ku dominonte ndjenja kombëtare shqiptare, por drejtori ynë ishte ngutur ta merrte përgjegjësinë për vete. Kur, pas kësaj, polici i egër, bashkë me goditjen e tavolinës, kishte kërkuar ndërprerjen e festimit të ditës së shkollës sonë, drejtori e kishte shikuar në sy dhe ia kishte bërë me dije se kjo nuk do të ndodhte. Vizita e uniformave të frikshme, këtu kishte përfunduar, me kërcënime të panumërta dhe me “ftesën” për në stacionin policor.


Drejtori i shkollës, nuk foli me arsimtarët për kërcënimet, që nuk ishin as të parat e as të vetmet. Megjithatë, shokët e vjetër panë në fytyrën e tij se diçka nuk ishte në rregull. Me vendosmërinë që e tregonte me tërë qënien, u tha se nuk mund t’i zhngënjejmë një mijë nxënës që kanë ardhur sot të festojnë Ditën e Shkollës. U kishte tërhequr vërejtjen se as mysafirët e as nxënësit nuk bën t’i marrin vesh kërcënimet që drejtori i shkollës kishte marrë nga policia serbe. Atëherë, kënga, vallja, recitimet e lojërat e festës kishin filluar. Të gjithë ishim të kënaqur. Për këtë ditë dhe për një vit të suksesshëm dhe të vështirë shkollor, që ishte në të përfunduar. Mirëpo…

Askush nga ne aty, nuk mori përgjegjësi. Askush nga ne nuk u përpoqëm që ta mbrojmë drejtorin tonë (e vërteta është se nuk kishim shumë mundësi). Askush nga ne, as që e përcolli deri te stacioni i tmerrshëm i policisë, nga ku dalja gjithmonë ishte në një gjendje tjetër shëndetësore. Kur programi përfundoi, kokulur, ne u strukëm në shtëpitë tona. Vetëm drejtori nuk e kishte përfunduar ende ditën e punës. Kur përcolli mysafirin e fundit nga shkolla, ai shkoi të mbronte shkollën shqipe. Episodi tjetër është histori: dihet se çfarë dialogjesh mund të bëhëshin në mes punëtorëve të arsimit shqip dhe kriminelëve që kishin uniforma të policisë serbe atëherë…

Dhe kështu, shumë vjet të vështira kaluan. Shumë episode të këtilla drejtori jonë (që kishte kaluar edhe njëzet vjet të tjera përvojë si arsimtar i dalluar) mbijetoi. Ai ishte drejtori, mësuesi dhe kolegu ynë në procesin edukativo-arsimor. Dhe, më së shumti, ishte shembulli i papërkulshmërisë për ne. Edhe kur udhëtonte natën e ditën, larg rrugëve normale, për të na sjellur librat (që ishin të ndaluara), edhe kur u nënshtrohej kontrolleve e maltretimeve kur sillte “ndihmat” për shkollën shqipe, edhe kur ne, arsimtarët, duke ngurruar skajshmërisht i thoshim se nuk kemi as shkumës, drejtori ynë nuk e dha veten. Përherë i qeshur, pedant, i papërtueshëm dhe i patrembur nisej të kryente shërbimet për shkollën shqipe. Shkuleshim së qeshuri (!?) kur i gëzuar që ia ka arritur t’i shpëtonte pagat tona të vockëla, na tregonte si i kishte shpëtuar ato pak para që ua sillte arsimtarëve të arsimit shqip. Asaj strukture, që përbënte gjatë viteve ’90 të vetmen shtyllë të shtetit të Kosovës. (Më lejoni këtu një digresion! Në shtatë vite, çdo muaj, ilegalisht, kanë hyrë disa miliona marka gjermane që vinin nga mërgimtarët tanë për arsimin shqip. Ato futeshin në mijëra mënyra nga mijëra njerëz, që rrezikonin edhe jetën e tyre. Megjithatë, asnjë rast i vetëm i keqpërdorimit të asaj paraje nuk është shënuar për shtatë vite. Ju, kosovarët e mi të dashur, a mund ta krahasoni atë kohë me këtë të tashmen?!)

Kohë të tjera erdhën dhe arsimi shqip po sheh ditë më të mira. Arsimtarët dhe nxënësit shkojnë pa brenga në shkolla dhe atmosfera e frikës ka mërguar nga bankat shkollore. Mirëpo, nëse më pyesni për drejtorin tim, unë nuk di se si do t’ju përgjigjem. Sikur ajo thënja “kalova Drinin…” askush nuk është kujtuar pas lufte për këtë punëtor të madh të arsimit. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer në këtë shoqëri mosmirënjohëse, nuk është më ai i vjetri. Askush nga “këta me kravata” nuk e viziton dhe askush nuk e fton në festimet që bëhën në këto ditë lirie. As në qytezë nuk e kam parë që disa vjet. Në atë qytezë, ku me energji të pashterrshme dhe me vullnet të pathyeshëm, ishte përpjekur dhe kishte luftuar për arsimin shqip.

Shenja pleqërie janë shfaqur në atë fytyrë aq të dashur dhe drejtori (se ende nuk i them ish-drejtori) ynë lufton me to i vetëm. Kjo shoqëri, që vrapon pas konsumit të tmerrshëm, pas vlerave efemere dhe kjo shoqëri që nuk e kthen kurrë shikimin prapa, nuk ka kohë më për të. Ai është i vetmuar dhe dëshpërimi ka zënë rrënjë në ballin e tij. Autori i këtyre rreshtave, një nxënës dhe koleg i tij, bashkë me klithmën e dëshpërimit, është i bindur se nuk mund të shpresojmë në ndërtimin e një ardhmërie më të mirë, duke harruar njerëzit që kanë dhënë aq shumë për këtë ditë.

P.S.
Duke qenë tepër modest, ai nuk do të ma falë kurrë këtë! Megjithatë, dua të tregoj se këta rreshta janë për një punëtor të madh të arsimit shqip, mësuesin e nderuar Mujë Mulaj.

Në trend

Më shumë
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në

Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në "Zahir Pajaziti"

Superliga
U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

Lajme
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Lajme
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Kalo në kategori