Kosova dhe Bashkimi Evropian këto ditë kanë një të përbashkët, të dyja palët janë të zhgënjyera me njëra-tjetrën.
Njëra palë për shkak se nuk po i hiqen vizat, ndërsa BE është e zhgënjyer me vendimin për targat ilegale “KM”, “GL” e të ngjashme.
Kjo e fundit sipas profesorit universitar në Londër është padrejtësi që vazhdimisht po i bëhet Kosovës.
“Nëse ka tensione për shkak të vendimeve për shkak të Kosovës atëherë mund të ketë një përkeqësim të pozicionit të Kosovës, mirëpo nëse nuk ka tensione dhe evitohen tensionet me një qasje të shkallëzuar të vendimit për targat atëherë kjo nuk duhet të ndikohej në dialog”.
“Kosova duhet të sqarojë pse nuk e ka dizajnuar një implementim 12 mujor të konvertimit të targave dhe duhet të kërkojë nga BE të mos ketë një qasje me standarde të dyfishta”, ka thënë politologu Seb Bytyçi.
Bytyçi thekson se BE është mësuar ta shoh Kosovën si palën e dobët në dialogun me Serbinë.
“Është krijuar tradita që kur ka nevojë të arrihet një marrëveshje presioni më i madh i drejtohet Kosovës. Kjo për shkak se Kosova ka qenë gjithmonë më e gatshme që ta pranojë atë presion dhe të lëshojë pe”, shtoi ai.
Për dallim prej tij, analisti Arbnor Sadiku mendon se sjellja e BE-së ndërlidhet me marrëveshjen finale e jo me vendimit për targat.
“Justifikimi (i BE-SHBA për vërejtjet) është që do të pritet që të bëhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 10 muajve dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të zgjidhet edhe problemi i targave” , ka thënë analisti Arbnor Sadiku.
Sadiku e cilëson të gabuar formën e zbatimit për targat të vendosur nga Kurti.
“Politika e jashtme ta humbë shtetin, kurse politika e brendshme vetëm pushtetin. Prandaj njëherë edhe pse mund të tolerosh disa presione të bashkësisë ndërkombëtare ato mund ta humbin pushtetin por e ruajnë si me thanë sigurinë e shtetit”, shtoi ai.
RTV Dukagjini ka dërguar dhe pyetje tek Zyra e Kryeministrit për këtë temë por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kërkuar që vendimi për t’i ndaluar targat ilegale të shtyhet të paktën për 10 muaj. Kërkesë që nuk u përfillë nga Qeveria, e cila vendosi që pas datës 21 prill nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale./RTV Dukagjini/