Policia jep detaje për vdekjen e vajzës 8-vjeçare në Suharekë

Një vajzë 8-vjeçare u dërgua mbrëmë në Repartin e Emergjencës pa shenja jete nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur për Telegrafin se patrullat policore dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas mjekut kujdestar, fëmija nuk kishte shenja jete në momentin e pranimit në urgjencë.
“Më datën 14.12.2025, rreth orës 21:50, nga QKMF-Suharekë është raportuar se një fëmijë i gjinisë femërore, rreth 8-vjeçare, nga fshati Greiçevcë, është sjellë në Repartin e Urgjencës pa shenja jete. Patrullat policore dhe hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë informuar nga mjeku kujdestar për gjendjen e fëmijës”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të Rënda dhe është iniciuar rasti nën akuzën “Hetim i vdekjes”.
“Trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit kompetent, është dërguar për obduksion”, njoftoi Bytyqi. /Telegrafi/










































