Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pas një rrahjeje të ndodhur sot në veri të Mitrovicës përkatësisht në rrugën “Milan Shuflaj”.

Sipas njoftimit incidenti ka ndodhur rreth orës 12:50, kur zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta kanë hasur në një përleshje fizike mes dy personave.


Një prej të dyshuarve, N.B. (39 vjeçar), është arrestuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy persona, baba dhe bir pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur në trafik.

Viktimat kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë liruar pas ndërhyrjes mjekësore.

Në lidhje me këtë rast, prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e procedurës penale dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

Gjithashtu, në stacionin policor është paraqitur edhe vëllai i të dyshuarit, N.B. (46 vjeçar), i cili ka fyer dy viktimat.

Atij i është shqiptuar me një tiketë për prishje të rendit dhe qetësisë publike, sipas ligjit për kundërvajtje.

Policia e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, duke siguruar rendin dhe qetësinë publike në të gjithë territorin e Kosovës. /Telegrafi/