Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjatë periudhës 26 shtator – 2 tetor 2025, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, janë shqiptuar gjithsej 1,430 gjoba ndaj ngasësve.

Në këtë periudhë policia ka hetuar 16 aksidente me dëme materiale dhe 12 aksidente me të lënduar, si dhe ka shqiptuar masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 26 shoferë.


Autoritetet policore theksojnë se këto masa janë ndërmarrë me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë së qytetarëve në komunikacion.

Policia rajonale njëherësh ka bërë apel për kujdes të shtuar në trafik, sidomos për shkak të lagështisë dhe rrëshqitjes së mundshme të rrugëve. Ajo u ka bërë thirrje ngasësve që:

  • të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe motit,
  • të mbajnë distancë të mjaftueshme mes automjeteve,
  • të përdorin dritat gjatë ditës dhe natës,
  • të shmangin përdorimin e telefonit dhe çdo veprimi që shpërqendron vëmendjen gjatë ngasjes.

Policia e Gjilanit ka theksuar se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara në terren, me qëllim të uljes së numrit të aksidenteve dhe rritjes së disiplinës në trafik. /Telegrafi/