LAJMI I FUNDIT:

Po na marrin në qafë

Paret e kursimeve tona pensionale do të ishin njëjtë të sigurta edhe po të investoheshin në Kosovë. Fillimisht do të fitonte ekonomia, e shumë më shumë ne kur të plakemi.

Është e dhimbshme që një ditë të kuptosh se i tërë kursimi yt pensional papritmas peshon 12 për qind më pak. Dhe mund të ulet edhe më tepër. Tash frika është se kur të dalësh në pension pas disa vitesh, mund të marrësh edhe më pak pare sesa ke deponuar.

E kur paret i ke të investuara në tregje financiare, atëherë duhet të jesh edhe me fat. P.sh. nëse të bie të dalësh në pension të hënën dhe vlera e aksionit papritur ka rënë në 1.1, atëherë kursimet tua do të jenë për faqe të zezë. Mund të qëllojë të dalësh në pension edhe ndonjë të mërkurë dhe të ketë ngritje të aksionit në 1.3 a 1.5. Atëherë je me fat.


Investimi në letra me vlerë në tregjet më të mëdha të botës, pavarësisht se është mjaft i sigurt nga falimentimi, fitimi i përngjanë lotarisë. Në rastin e afro 300 milionë eurove, që i kemi kursyer për t’i përdorur kur të plakemi, humbim vetëm ne. Në të gjitha anët.

Fillimisht ekonomia e Kosovës është tkurrur për afro 15 për qind, duke i investuar paratë jashtë. Me norma të kamatave prej 5.8 për qind në vit, sikur ato të investoheshin këtu, depozitat bankare tash do të arrinin në 1.5 miliardë euro, e bankat do të kishin shumë më tepër para në dispozicion për të dhënë kredi. E oferta më e madhe automatikisht ulë kamatat, sepse ka mundësi t’i përafrohet kërkesës për kredi. Kjo zgjeron bazën ekonomike të Kosovës.

Është si infuzion për një të helmuar nga ushqimi. Pastaj paramendoni sikur secili nga ne të përfitonte kamatë aq të lartë nga kursimet. Pas 30-40 vitesh, secili do të merrte trefishin e atyre që ka kursyer. Nëse i keni deponuar 20 mijë euro, do t’i merrni 60 mijë. E këto janë kushtet që i ofrojnë bankat kosovare.

Nuk mund ta kuptoj se si funksionon koka e atyre të Trustit. Por, e kuptoj se po na marrin në qafë. Arsyetohen se atje janë mjetet e sigurta. Ndoshta aq din, dhe aq veprojnë. Nuk ka asgjë të sigurt në biznes. Nëse detyrohesh që me dikë ta ndash humbjen e thellë dhe fitimin minimal, atëherë s’ia vlen.

Edhe ashtu je shumë i rrezikuar. Nëse ato para do të futeshin në bankat kosovare, siguria do të ishte gati e ngjashme. Fillimisht trusti paraqet 20 për qind të depozitave. E nëse shembet i tërë sistemi bankar i Kosovës, ato para do të mund të shpëtoheshin. Po, ok. Po pajtohemi që të mos marrim tërë kamatën prej 5.8 për qind. Po i sigurojmë depozitat në kompanitë e sigurimeve, të cilat po i detyrojmë që t’i risigurojë ato në ndonjë kompani me nam botëror.

Humbëm një pjesë të kamatës, por paratë që po qarkullojnë tash në Kosovë janë njëjtë të sigurta dhe të mbrojtura sa atje ku janë. Dhe i ndihmojnë vendit bukur mirë. Së bashku me paratë e privatizimit dhe tek tuk edhe të buxhetit dhe fondeve tjera, ato për 1 vit e dyfishojnë GDP-në e Kosovës.

Ky në ekonomi quhet pragmatizëm. Dhe kështu zhvillohet më së miri një vend. Ne mund të lëmë fajtor kë të duam, në daç naftën e shtrenjtë e në daç edhe ushqimet që kanë fluturuar. Por, për ta zhvilluar ekonominë duhen vendime të guximshme. E ato nuk po i marrim.( Marre nga Express)