Phil Jones refuzoi të heqë dorë nga numri 4 për Raphael Varanen
Raphael Varane ka marrë fanellën me numër 19 te Manchester Unitedi pasi anglezi Phil Jones refuzoi të heqë dorë nga numri 4 i tij.
Varane, 28 vjeç, u prezantua si lojtar i ri i Unitedit para tifozëve në Old Trafford të shtunën, ku Djajtë e Kuq fituan thellë 5-1 kundër Leeds United.
Ai ka nënshkruar një marrëveshje katërvjeçare me Djajtë e Kuq dhe bashkohet për një tarifë prej rreth 42 milionë funtesh apo 50 milionë eurosh.
Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar mirë për Varanen, pasi francezi nuk ka arritur ta marrë fanellën me numrin e tij të preferuar.
Sipas mediumit Evening News Manchester, Varane ka kërkuar numrin 4 në fanellë, por Jones ka refuzuar që t’ia japë pavarësisht se nuk luan për Unitedin që nga janari i vitit 2020.
Jones aktualisht po punon për t’u rikthyer në formën e plotë në United, me Ole Gunnar Solskjaer që ka deklaruar se anglezi do të jetë zgjedhja e pestë në qendër të mbrojtjes.
Ai ka edhe dy vjet të mbetur në kontratën e tij, por një largim i mëhershëm nuk përjashtohet.
Në anën tjetër, numri 19 i Varanes ishte mbajtur nga talenti Amad Diallo në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, por sulmuesit anësor tani i është dhënë numri 16 dhe pritet të huazohet këtë sezon. /Telegrafi/































