LAJMI I FUNDIT:

Petrol Company siguron strehë për familjen Hoti në natën e Kurban Bajramit

Petrol Company siguron strehë për familjen Hoti në natën e Kurban Bajramit

Për 12 vjet me radhë, në skamje e kushte të vështira jetese, po jetojnë familja Hoti. Gjashtë anëtarët nga Turiqeci i Skenderajt, ushqimin dhe nevojat e tjera bazike po i sigurojnë me të ardhurat nga ndihma sociale prej 130 euro.

Edhe kjo shtëpi, dy dhomëshe, skutat e të cilës janë mbuluar nga myku, nuk është e tyre. Hallin kryefamiljari Rrahim Hoti e ka se shumë shpejt do të mbesin në rrugë.

Hoti: Kjo shtëpi është e vëllezërve të mi

“Jemi 6 anëtar jetoj vetëm me social, të ardhura nuk kam kërka…Një kulm mbi kokë me pas për qeta fëmijë, me pas ku me i strehua….Askund me qet social, privat nga pak se edhe vet nuk jam mirë nga shneta….Kam qenë në komunë 3 here, i kom rregullua letrat…Kjo shtëpi është e vëllezërve të mi më kanë thënë me dal nga këtu, se ne jemi 7 vëllezër edhe 2 i kam pa u martuar e më kanë thënë me dal nga këtu”, thotë ai.

Jeta për ta po bëhet çdo ditë e më e vështirë. Veç kushteve të rënda, brengë të madhe Ferdane Hoti e ka shëndetin e fëmijëve të saj.

Hoti: Nxjerri ujë nga bunari

“Veç me një social shtëpia nuk marohet, të hangt e të pitë apët diçka veç shtëpia. Djalin e kam sëmur edhe vet nuk jam hiq mirë, nxjerri ujë nga bunari laj ujë, këqyri duart qysh mu kanë bë”, thotë ajo.

Lotët e këtyre gjashtë familjarëve, do të ndalen shpejt. Në kuadër të kampanjës “Nga një cent për çdo litër” kompania e derivateve “Petrol Company” zgjodhi këtë familje ta gëzojë me ndërtimin e shtëpisë.

Pas vizitës në këtë shtëpi, Valentina Mekani nga Petrol Company ka thënë për KosovaPress se shumë shpejt do të fillojnë ndërtimet, duke bërë thirrje gjithë vullnetmirët që të ndihmojnë që sa më shpejt familja Hoti të dal në shtëpi të re.

Mekani: Sot kemi vendosur që një familjari në nevojë t’i ndërtohet shtëpia

“Jemi sot në qytetin e Skenderaj, ku na ka pru një projekt humanitar, sot bashkërisht me kryetarin e komunës kemi vendosur që t’i ndërtohet shtëpia një familjari në nevojë, në këtë rast Rrahim Hoti i fshatit Turiqec të kësaj komune. Më lejoni të them që ne e kemi kampanjën humanitare ku për çdo litër të shitur në Petrol Compani ndahet 1 cent për ndërtimin e këtyre shtëpive. Deri më sot kemi ndërtuar 5 shtëpi, kjo e radhës pat fatin të ndërtohet në këtë qytet i cili ka dhënë shumë për Kosovën…Ne shumë shpejtë fillojmë ndërtimet dhe besoj që shumë shpejtë kanë me përfunduar…Falënderoj kryetarin e komunës Bekim Jasharin dhe të gjithë zyrtarët që na kanë asistuar në çdo aspekt dhe i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë”, thotë Mekani.

Udhëheqësi i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se ka edhe shumë familje të tjera në këtë komunë të cilat vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira.

Jashari: Familja Hoti është në kushte të vështira

“Me Petrol Company, kemi përzgjedhur familjen Hoti në Turiqec, një familje 6 anëtareshe me kushte të vështira, që për fat të keq ka edhe familje të tjera në komunën tonë ende por që fal njerëzve të vullnetit të mirë, njerëzve human si dhe rasti konkret, dal nga dalë po shkojmë duke i trajtuar dhe ndihmuar këtyre familjeve që kanë nevojë për kulm mbi kokë. Në emër të komunës dhe qytetarëve të Skenderaj falënderoj pronarin Jusaj me Petrol Company për këtë gjest human dhe shpresoj që të jetë shembull i mirë për të gjithë të tjerët që të shtrinë dorën e humanitetit, që për fat të keq edhe pse kanë kaluar 21 vite nga lufta ende vendi dhe njerëzit tonë kanë nevojë për ndihmë nga ne” , thotë ai.

KosovaPress nga afër ka parë punimet për ndërtimin e shtëpisë së familjes.

Tejet i gëzuar që më në fund do ketë një shtëpi për fëmijët dhe bashkëshorten e tij u shpreh kryefamiljari, Rrahim Hoti.

Hoti derisa falënderon ata që kontribuuan ndërtimin e kësaj shtëpie tha se është mrekulli që deri dje nuk kishte asnjë shpresë për strehë, ndërsa sot ai e gëzon atë.

Hoti: Jemi shumë të gëzuar

“Jashtëzakonisht jemi shumë të gëzuar, dhe ju përshëndes të gjithëve që ma keni dhënë mundësinë që me strehu një familje… Shumë mirë, shumë i kënaqur jam edhe me punim edhe me të gjitha, shumë jam i kënaqur… Qysh nuk ki emocione kur të ndërtohet shtëpia për familje…Falënderoj Petrol Companyn që shumë shpejt ma kanë ndërtuar, nuk po më besohet”, ka thënë ai.

Në natën e Kurban Bajramit, lumturia dhe gëzimi u pa në fytyrat e katër fëmijëve të familjes Hoti. Nga sot tashmë ata do të kenë dhomën e tyre ku do të kalojnë netët, e ditët e ftohta, ku do të mësojnë e luajnë.

E udhëheqësit e kësaj kompanie patën edhe disa dhurata simbolike për vajzën dhe dy djemtë e Rrahim Hotit.

Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave të shtëpisë drejtori i kompanisë së derivateve “Petrol Company”, Shkelzen Jusaj thotë se kanë arritur të sigurojnë një kulm mbi kokë për familjen Hoti, e cila ka qenë në nevojë.

Jusaj: Jo gjithmonë duhet me pas kuletën e madhe për me qenë human

“Jo gjithmonë duhet me pas kuletën e madhe për me qenë human, por duhet me pas zemrën e madhe dhe vullnetin për me hap zemrën. Prandaj ne bashkë me stafin e Petrol Company-s në këtë kohë dhe rrethana të jashtëzakonshme për ekonominë dhe për krejt qytetarët, kemi hapur zemrën dhe shumë biznese të tjera që të marrin si shembull dhe të kontribuojmë sado pak që të lehtësojmë situatën e gjendjes ekonomike dhe familjeve skamnore në Kosovë”, shton ai.

Jusaj nuk la pa falënderuar klientët e “Petrolit” që kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj shtëpie. E po ashtu kompaninë “Syla Group” dhe kompaninë “Iliria” të cilat kanë dhuruar kuzhinën.

I lumtur që tashmë në qytetin që ai e udhëheqë ka një familje më pak që jeton pa kulm mbi kokë është edhe i pari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili për familjen e Rrahim Hotit ka uruar të gjitha mirat.

Jashari: Sot po gëzohet një familje që po hyn në shtëpi të re

“ Është vepra apo humanizmi ndoshta prej atyre më të lartëve, nëse e bën një familje me kulm mbi kokë. Aq më shumë sot që jemi në natë të bajramit, nesër kemi Kurbanin Bajramin dhe po gëzohet një familje që sot po hyn në shtëpi të re. Mua nuk më mbetet gjë tjetër vetëm që t’iu uroj shëndet juve dhe familjes suaj”, thotë Jashari.

Jashari thotë se këtë shembull duhet ta ndjekin edhe bizneset tjera, që të bëjnë të lumtur familje në nevojë.

Hoti: Kemi jetuar në kushte të rënda

“Kam jetuar shumë në kushte të rënda, tash jam shumë i lumtur që jam bërë me shtëpi të re”, thotë ai.

E zonja e shtëpisë, Ferdane Hoti në mes emocionesh e lotësh thotë se është e lumtur që më në fund ka një strehë në natën e festës së Bajramit.

Hoti: Falemnderit që sot për këtë bajram po hyjmë në shtëpi të re 

“Shumë faleminderit, shumë, nuk di qysh me falenderu ndryshe. Që për këtë bajram po hyjmë në shtëpi të re….Të vështira janë kanë atje, veç dy dhoma i kam pas, një korridor, të vështira janë kanë. Zoti ju shpërbleftë”, flet ajo me emocione.

Petrol Company vazhdon me kampanjën e saj humanitare ku do të ndërtojë edhe shtëpi të tjera për t’i strehuar familjet në nevojë.