Dhjetëra mijëra banorë të Sydney janë larguar nga shtëpitë e tyre pasi shirat e dendur goditën sërish qytetin më të madh të Australisë dhe përmbytën disa periferi të mëdha.

Sipas informacioneve të fundit, 20 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në pjesën lindore të vendit.


Disa prej lumenjve në lindje të shtetit ishin tashmë afër maksimumit, pas reshjeve rekord në pjesë të Queensland dhe Uellsit të Ri Jugor në javët e fundit, të cilat bllokuan qytetet dhe rrënuan fermat, bagëtinë dhe rrugët.

Një grua 67-vjeçare dhe djali i saj 34-vjeçar u gjetën të vdekur pranë një makine të braktisur në një kanal kullimi në West Sydney, thanë autoritetet.

Policia e Queensland konfirmoi vdekjen e një burri të zhdukur nga përmbytjet e 27 shkurtit, gjë që e rriti numrin e të vdekurve në 20 që nga fillimi i përmbytjeve.

Shumica e njerëzve u gjetën të vdekur ose në shtëpi të përmbytura ose në makina që po përpiqeshin të kalonin në rrugët e përmbytura. /Telegrafi/