LAJMI I FUNDIT:

Pavarësisht kritikave të ashpra, Qeveria arsyeton Ligjin për KPM-në

Pavarësisht kritikave të ashpra,  Qeveria arsyeton Ligjin për KPM-në

Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht, deputetët e LVV-së, kanë votuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, të sponsorizuar nga Zyra e Kryeministrit, i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Përmes një komunikate, Qeveria ka arsyetuar ligjin duke thënë se ky Ligj sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg.

“Kjo, sepse ky Ligj në plotëni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele (AVMS) të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian”.


Sipas Qeveriaë, gjatë konsultimeve e dëgjimeve publike të organizuara nga Zyra e Kryeministrit, u dëgjuan shumë palë, ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias e shoqërisë civile.

“ Të njëjtit u takuan edhe me ekspertët që kanë hartuar Ligjin, po ashtu nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu thekson se AGK-së i është ofruar edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime:

-respektimit të plotë të direktivës AVMS;

-harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe

-sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM.

“Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet”, thekson Qeveria.

Sipas Qeverisë, çdo portal që prodhon lajm vetë rregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto sipas Qeverisë, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media.

“Kosova nuk ka mekanizma tjerë të pavarur, institucional, që do mund të kryenin këtë detyrë të KPM-së. E këto qëndrime, janë të harmonizuara me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”.

Qeveria pretendon se me këtë ligj është ruajtur pavarësia e mediave nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku.

Me 59 vota pro, Kuvendi miraton Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave
Lexo po ashtu Me 59 vota pro, Kuvendi miraton Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave

“Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media.Qytetarët tanë do jenë të informuar në çdo kohë mbi atë kush ua plason lajmin, përmes qasjes në platformën e KPM-së e cila do tregojë saktë përfituesit fundorë të secilit medium”.

“Së fundmi, gjobat e parapara e të kritikuara nga shoqëria civile, janë të këtilla sepse janë harmonizuar me Ligjin në fuqi për Kundërvajtjet. Është detyrë e jona të sigurojmë harmonizimin dhe zbatimin efikas të ligjeve tona kombëtare”.

Opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të ligjit për KPM-në dhe atij për KPK-në
Lexo po ashtu Opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të ligjit për KPM-në dhe atij për KPK-në

“Të udhëhequr nga ekspertët e Bashkimit Evropian e me vullnet për të fuqizuar KPM-në si institucion të pavarur kushtetues, por mbi të gjitha për t’i ofruar qytetarit të Kosovës mundësinë të krijojë opinionin në mënyrë të pavarur, gjithnjë sipas udhëzimeve të Direktivës AVMS”, thuhet në komunikatë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu keqardhje që Kuvendi e miratoi ligjin “pa i adresuar shqetësimet” dhe nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së.

“Kuvendi i Kosovës e humbi sot një mundësi të mirë për t’i pasur dy ligje të mira….Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, pasi dështoi t’i fusë plotësisht të gjitha rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare”, tha Szunyog.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se Kosova i shpërfilli qëndrimet e BE-së, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për këtë ligj.

“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, atëherë çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane”, shkroi Rohde në X.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha në një reagim në Facebook se e ka pranuar me “shqetësim” miratimin e Projektligjit dhe kërkoi të kundërshtohet futja në fuqi e tij.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, tha AGK-ja.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u larguan nga seanca pasi që kërkesa e tyre për largimin e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk u përkrah nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

LDK-ja dhe PDK-ja e kanë kundërshtuar këtë ligj dhe njoftuan të enjten pasdite se do ta dërgojnë atë në Gjykatës Kushtetuese.

Pas votimit reagoi juristja e mediave, Flutura Kusari, e cila tha se “sot është ditë e errët për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë”.

Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Çfarë parasheh projektligji për KPM-në?

Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.

Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.

Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.

Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, ligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

Ndërkohë, për këtë projektligj, ditë më parë ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ky projektligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.

Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ftesa e presidentes për liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, deklarohen nga AAK

Ftesa e presidentes për liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, deklarohen nga AAK

Mirjeta Hajzeraj
Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Konfirmohen 19 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Lajme
Rama vazhdon me publikimin e videove nga plazhet: Pamje nga Himara, Borshi, Jala e Dhërmiu – ku gjen pushues nga e gjithë bota

Rama vazhdon me publikimin e videove nga plazhet: Pamje nga Himara, Borshi, Jala e Dhërmiu – ku gjen pushues nga e gjithë bota

Lajme
Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e një personi

Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e një personi

Kronika e Zezë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Lindita Nikolla tërhiqet nga detyra e kryetares së Kuvendit

Lindita Nikolla tërhiqet nga detyra e kryetares së Kuvendit

Lajme
Kalo në kategori