“Përgjaken” rrugët në verë, më pak aksidente më shumë viktima, të rinjtë ndër shkaktarët kryesorë

Nga janari deri në korrik të këtij viti janë regjistruar gjithsej 767 aksidente rrugore në të gjithë vendin, duke shënuar një ulje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, muajt e verës, veçanërisht gushti, kanë sjellë një përkeqësim të situatës në rrugë.
Vetëm gjatë muajit gusht janë shënuar 14 viktima, një rritje shqetësuese që ngre alarmin për masat e sigurisë rrugore në sezonin turistik, kur lëvizjet dhe fluksi në trafik rriten ndjeshëm.
Në total, gjatë shtatë muajve të parë të vitit, janë aksidentuar 1,077 qytetarë, një tregues tjetër domethënës i përmasave që vazhdon të ketë fenomeni, pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve.
Për pasojë 116 persona kanë ndërruar jetë, 32 më shumë sesa në 7 muajt e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se të rinjtë mbeten ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Shoferët nën 25 vjeç janë përfshirë në 166 aksidente, ndërsa 23% e totalit të tyre janë shkaktuar nga drejtues mjetesh në grupmoshën 25-34 vjeç.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, mungesa e përvojës së tyre në rrugë, shpejtësia e lartë dhe pakujdesia në timon vijojnë të jenë shkaqet kryesore.
“Ndikojnë dhe ndryshimet e Kodt Rrugor që nuk ka pezullim leje drejtimi por dyfishim gjobe”, tha për A2 CNN, eksperti Islam Qibini.
Autoritetet paralajmërojnë forcim të kontrolleve, sidomos në segmentet problematike, ndërsa apelojnë drejtuesit e mjeteve për më shumë përgjegjshmëri dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor.


















































