Përfundon drama në Bernabeu, River Plate mposht Bocan dhe fiton Copa Libertadores

Finalja e dytë e Copa Libertadores mes River Plates dhe Boca Juniors në Santiago Bernabeu ka përfunduar me fitoren 3-1 të Riverit.
Pasi ndeshja e parë në La Bombonera përfundoi me rezultat 2-2 dhe koha e rregullt në Madrid përfundoi 1-1, fituesi u kërkua në vazhdime.
Rastin e parë për gol e kishte Boca Juniors nëpërmjet Pablo Perez në minutën e 11-të, por portieri i River Plates, Franco Armani, nuk u befasua.

Perez kishte një tjetër rast për gol në minutën e 31-të, ndërsa goli i vetëm në pjesën e parë u shënua nga Dario Benedetto (44').
Pjesa e dytë ishte me më pak raste, River Plate shënoi me rastin e vetëm serioz që kishte nëpërmjet Lucas Prattos në minutën e 68-të.

Në vazhdim kryesisht loja u zhvillua në mesfushë dhe nuk kishte gol në kohën e rregullt, kështu ndeshja shkon në vazhdime pasi goli si mysafir nga ndeshja e parë nuk vlen.
Në minutën e 92-të Boca mbeti me një lojtar më pak, Wilmar Barrios u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

River Plate shfrytëzoi epërsinë numerike në fushë dhe kështu mori edhe epërsinë në rezultat, Juan Quintero me një gol fantastik në minutën e 109-të.
Boca menjëherë u tregua e rrezikshme, por portieri Armani nuk lejoi që skuadra e tij pranojë gol.
Në minutat e mbetur Boca provoi gjithçka, por nuk kishte fat para portës kundërshtare, ndërsa Riveri kishte raste nga kundërsulmet, e që në fund Gonzalo Martinez (122') shënoi për 3-1 (5-3 rezultati përfundimtar, duke llogaritur edhe ndeshjen e parë). /Telegrafi/




















































