Në vigjilje të zgjedhjeve lokale në Medvegjë, përfaqësuesit e listës shqiptare  në Medvegjë të prirë nga Nagip Arifi - kryetar i PD-së dhe njëherësh kryetar i Bujanocit, janë pritur në takim nga kryesia e Klubit “Trojet” në Prishtinë.

Pjesë e delegacionit nga Medvegja ishin bartësi i listës shqiptare Femi Beha, kryetari i PD-së dega në Medvegjë - Bajram Mustafa, të cilët aktualisht janë asamblistë komunalë në Medvegjë.


Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishte Arben Ferati nga Shoqëria civile, prof. Gani Krasniqi, Sokol Halimi- kryetar i Bashkësisë Lokale të Tupallës dhe përfaqësues të tjerë politikë të kësaj komune në Luginën e Preshevës.

Gjatë këtij takimi u diskutua për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, që do të mbahen në Medvegjë me 17 dhjetor.

Temë e diskutimit ishte edhe pasivizimi  i adresave të shqiptarëve dhe ndikimi i kësaj në listën e votuesve.

Në takim u shpreh shqetësim i madh se si pasojë e pasivizimit të paligjshëm numri i shqiptarëve në listat e votuesve është dukshëm më i vogël. /Telegrafi/