LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësimi me fusnotë – shkelje e Kushtetutës dhe degradim i pozitës ndërkombëtare të shtetit

Qeveria e Kosovës, me në krye kryeministrin, u deklarua publikisht se Republika e Kosovës tash e tutje do të përfaqësohet në takimet rajonale me një fusnotë që përmend rezolutën 1244, mendimin e GJND-së dhe pavarësinë (kjo e fundit mbetet me u pa), dhe në këtë mënyrë nuk do të përmendet Republika, por do të lëshohet pe sipas kërkesave të Serbisë.
Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, duke iu falënderuar kryeministrit Thaçi kurse Kosova nuk do të fitojë asgjë, përkundrazi do të degradojë pozitën e vet ndërkombëtare dhe kjo paraqet precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

Thaçi deklarohet me naivitet se “ata që kundërshtojnë fusnotën janë antiamerikanë dhe anitevropianë’, parulla të tipit stalinist dhe pa mbështetje reale, por tentim për manipulim, propagandë dhe denigrim.
Opozita, media dhe intelektualët duhet të reagojnë edhe më fuqishëm kundër këtij vendimi të qeverisë së Kosovës që në fakt degradon shtetësinë e saj vetëm për të kënaqur apetitet e liderëve momentalë që janë pa vizion, pa ide dhe duke treguar servilizëm të skajshëm.
Nuk është befasi që deri më tani as ministri aktual i Jashtëm i Republikës, Hoxhaj, nuk ka reaguar fare, sepse ai është një i dëgjueshëm dhe vasal i Thaçit, ashtu siç është shndërruar edhe udhëheqja e MPJ tashmë, pasi që ata do të duhej të reagonin të parët, si njerëz që merren me këto çështje dhe kanë përgjegjësinë për bërjen e politikave të jashtme dhe të japin rekomandimet përkatëse sikurse në këtë rast.
Pranimi i rezolutës 1244 dhe fusnotës në anën tjetër do të vështirësoj shumë edhe lobimin për njohje të reja pasi që qeveria jonë vet po lëshon pe dhe këtë do ta shfrytëzoj Serbia për propagandë tjetër kundër Kosovës.


Çka thotë Rezoluta 1244 për Kosovën?

Rezoluta 1244, në hyrje thotë ‘konfirmimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të RFJ në pajtim me aktet e Helsinkit, duke i siguruar Kosovës autonomi substanciale dhe vetëqeverisje administrative’. Poashtu në aneksin e dytë, neni 5 thotë se ‘duhet të punohet në krijimin e një administrate interne në Kosove, dhe që Kosova të gëzoj një autonomi të gjerë në kuadër të ‘RFJ’’, përveç tjerash, që në fakt e njeh Kosovën si pjesë të të ashtuquajturës RFJ. Kjo rezolutë si e tillë është e papranueshme për Republikën e Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

Kushtetuta e Republikës së Kosovës definon vendin tonë si shtet të pavarur, sovran, demokratik dhe të pandashëm (Neni 1). Neni 16 thotë se: Kushtetuta është akti më i lartë juridik i vendit. Ligjet dhe aktet e tjera ligjore duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën, rrjedhimisht edhe përfaqësimi ndërkombëtar pasi që Kosova quhet Republikë sipas nenit 1.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës si akti më i lartë ligjor i vendit është mbi rezolutën 1244 dhe njeh Pakon e Ahtisarit si dokument shtesë për zgjedhjen e statusit të Kosovës.
Fokusimi në fusnotë dhe eliminimi i emrit Republikë është kompromis i dhembshëm dhe që bëhet pa u menduar mirë dhe pa ide të qarta, më shumë ndoshta si reagim adhoc dhe si përpjekje e kryeministrit për të zgjatur pushtetin e tij edhe me çmim të bërjes së pazareve në dëm të interesave të Kosovës.

Kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur kjo qeveri dhe ky kryeministër oportunist përmes altoparlantëve dhe shtypit të tij që e kontrollon ka dhënë shenja se edhe për Veriun e Kosovës ’do të gjenden zgjidhje kreative’ dhe ky është rreziku i radhës për Kosovën. Parullat folklorike, deklarimet patetike dhe etiketimet e ofendimet primitive nga ana e Thaçit dhe argatëve të tij ndaj mendimit të kundërt dhe atyre që po mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës dhe janë kundër fusnotave të imponuara, kundër rezolutës 1244 (që e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë), nuk do të kenë sukses dhe përfundimisht po demaskojnë këtë qeveri si vasale dhe të paaftë që të mbroj dhe të luftoj për interesat e Republikës së Kosovës.

Fjalitë e kota të stilit ‘zgjedhje e balancuar’ dhe ‘njohje e realiteteve ekzistuese’ janë për të manipuluar opinionin publik dhe tentim për të arsyetuar vendimet naive dhe në dëm të interesave të Republikës nga ata që kanë ardhur në pushtet edhe me manipulim të votave në zgjedhjet e fundit. Nëse kjo qeveri mendon se përmes etiketimeve, kërcënimeve dhe reagimit disproporcional të policisë sikurse p.sh. kundër aktivistëve paqësor të Vetëvendosjes që protestonin për reciprocitet dhe mbrojtje të sovranitetit dhe prodhimit vendor, apo në forma të tjera, e kanë gabim pasi që media e lirë, vullneti i qytetarëve, mbrojtja e interesave të Kosovës është mbi të gjitha partitë, dhe mbi të gjithë ata individë që janë momentalisht në pushtet, e mendojnë se mund të bëjnë pazare pa dhënë kurrfarë llogarie para ligjit dhe qytetarëve. Edhe për të tillët do të vij dita e dhënies së llogarisë, qoftë nga organet e prokurorisë apo edhe nga qytetarët e Kosovës që gjithmonë kanë ditur të reagojnë në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, të lirisë dhe integritetit të saj.

Republika e Kosovës nuk duhet të bëjë kompromise shtesë, sepse ai i fundit është bërë me Pakon e Ahtisarit dhe gjatë qeverisë së kaluar Kosova ka qenë e përfaqësuar e barabartë me shtetet e tjera në forume rajonale e ndërkombëtare sipas modelit ’Gymnich’. Këtë mund ta konfirmoj si pjesëmarrës në takime me disa ndërkombëtarë që ‘kishin tendenca dhe bënin presione për të ndryshuar këto qëndrime’ qoftë në Prishtinë apo jashtë Kosove. Pa hyrë në detaje, mund të them se MPJ gjatë viteve 2008-2010 ka luftuar vazhdimisht dhe asnjëherë nuk ka lëshuar pe dhe bërë kompromise në dëm të Kosovës. Fundja për ata edhe ekziston MPJ dhe institucionet e Kosovës që të përfaqësojnë dhe për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës në raport me vendet tjera.

Në trend

Më shumë
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

La Liga
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Lajme
Kalo në kategori