‘Perandori është kthyer’ – Adriano ishte mysafir special në Derby Della Madonnina

Legjenda braziliane e Interit, Adriano, ka qenë i pranishëm në Giuseppe Meazza për ta ndjekur Derby Della Madonnina kundër Milanit.
Nerazzurrët fituan ndaj rivalit lokal me rezultat 3-0 për të siguruar kualifikimin në finalen e 11 majit në Stadio Olimpico të Romës.
Dhe për këtë ndeshje, në tribuna ndodhej një mysafir special – ‘Perandori’, i cili ka qenë pjesë e klubit në dy raste (2001-2002 dhe 2004-2009).

Gjatë kësaj periudhe, ai e ka fituar katër herë titullin e Serie A, dy Kupa të Italisë dhe tri Superkupa të Italisë.
“Ai është kthyer. Mirë se vjen në shtëpi ‘Perandor’”, është përshkrimi i fotografive të publikuar në rrjetet sociale të Interit.

“Gjithçka që la gjurmë në jetën time dhe kujtimet më të mira të karrierës sime janë të lidhura me Interin: ndeshjet, golat, emocionet”.
“Por, ajo që mbaj me vete edhe sot është se përfshihem nga emocionet kur i dëgjoj duke brohoritur për mua. Tifozët e Interit më kanë bërë gjithmonë të ndihem i veçantë”, kishte shkruar Adriano para ndeshjes. /Telegrafi/



















































