Rastet e humbjeve të jetës në vendin e punës vazhdojnë të mbeten shqetësuese në Kosovë, duke ngritur alarmin për mungesën e kushteve të duhura të sigurisë për punëtorët.

Vetëm gjatë periudhës nga janari deri në muajin prill të këtij viti, janë regjistruar disa raste fatale që lidhen drejtpërdrejt me vendin e punës.


Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi për Klankosova ka bërë të ditur se numri i viktimave ka arritur në shtatë brenda këtyre muajve të parë të vitit.

Sipas tij, kjo situatë është tregues i qartë se standardet e sigurisë në punë nuk po respektohen në nivelin e duhur nga kompanitë.

Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi pronarët e kompanive, të cilët duhet të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët, në përputhje me ligjet në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë.

“Janë 7 persona. Duhet pronarët e kompanisë ta zbatojnë ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Azemi ka kërkuar angazhim më të madh nga institucionet përgjegjëse, duke vënë theksin te roli i Inspektoratit të Punës.

Sipas tij, ky institucion duhet të jetë më rigoroz në mbikëqyrje dhe të shmangë çdo tolerim ndaj shkeljeve që rrezikojnë jetën e punëtorëve.

“Inspektorati duhet krye punen e vetë, jo të bëj lëshime”, është shprehur ai.

Së fundmi, në Ferizaj ka vdekur një person, pasi dyshohet se ka rënë nga kati i shtatë i një objekti që ishte në ndërtim.

Ky rast e ka çuar në shtatë numrin e atyre që kanë humbur jetën në vendin e punës, vetëm gjatë periudhës katërmujore të këtij viti.