"Për çka ju kemi zgjedhë?", "Deputet veç në letër", "Mos na keqpërdorni votë", janë disa nga pankartat që po mbahen nga përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë aksionit para Kuvendit të Kosovës.

Gjatë aksionit, ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mos krijimin e institucioneve të reja, transmeton Telegrafi.


Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish sot, duke filluar nga ora 11:00, në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re.

Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 44 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, raporton Telegrafi.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar që votimi për kryetaren të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.