Peja dhe Sigal Prishtina mësojnë kundërshtarët në Ligën ENBL

Peja dhe Sigal Prishtina kanë mësuar kundërshtarët e tyre për edicionin e ri të Ligës ENBL.
Ky është edicioni i pestë i kësaj gare ku marrin pjesë 27 skuadra evropiane, ndërsa vetëm 16 më të mirat do të kalojnë në fazën e eliminimit direkt.
Peja do të debutojë për herë të parë në këtë ligë, ndërsa për Sigal Prishtinën do të jetë pjesëmarrja e dytë.
Liga nis më 23 shtator 2025 dhe do të zgjasë deri në prill 2026. Secila skuadër do të zhvillojë tetë ndeshje, katër si vendase dhe katër si mysafire.
Kundërshtarët e KB Pejës do të jenë: Riga Zeli nga Letonia, BC Iraklis nga Greqia, Newcastle Eagles nga Britania e Madhe, BC Spartak Sleven nga Bullgaria, BK Olomoucko nga Çekia, Dziki Warszawa nga Polonia, KK Dubrava nga Kroacia dhe një kundërshtar që do të përcaktohet nga organizatorët.
Ndërkaq, KB Sigal Prishtina do të ketë përballë: BK Opava nga Çekia, Gimle Basket nga Norvegjia, Brussels Basketball nga Belgjika, Slovan Bratislava nga Sllovakia, Tindastoll Saudarkrokur nga Islanda, Keila Coolbet nga Estonia, Manchester Basketball nga Britania e Madhe dhe një skuadër nga Kroacia.
Me dy përfaqësues në këtë kompeticion, basketbolli kosovar synon të tregojë fuqinë dhe traditën e tij edhe në arenën evropiane. /Telegrafi/





















































