Deputeti i Lëvizjes Guxo dhe njëherësh ministër në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se për të pushimet verore nuk janë prioritet, duke theksuar se është i gatshëm t'i përgjigjet detyrimeve institucionale dhe nevojës për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

Peci tha se gjithçka varet nga vendimi i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin aktual politik, por ai vetë nuk e sheh si shqetësim çështjen e pushimeve.


“Personalisht nuk e kam problem nëse nuk shkoj në pushime verore. I përgjigjem detyrimit qytetar që të jem këtu çdo 48 orë”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë shtoi se në rast të ndonjë vendimi tjetër nga Kushtetuesja, mund të hapet mundësia që edhe kolegët e tij ta shfrytëzojnë pushimin, por theksoi se për të është më e rëndësishme puna për vendin.

“Unë s’e kam preokupim pushimin. E rëndësishme është që me dhënë maksimumin për institucionet e vendit”, theksoi Peci.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar me ironi deputeti i LDK-së, Paris Guri.

Ai tha se pushimet verore kalohen me familje, por që Peci i ka të punësuar nëpër ministri.

“A e dini pse? Se në pushime zakonisht shkohet me kalu kohë me familje – e këta krejt familjarët i kanë punësu nëpër ministri, i kanë qaty në vend të punës. Janë mësuar me hotele të shtrenjta kur shkojnë në udhëtime zyrtare. Aty, tybe, s’shkojnë me punu – shkojnë me pushu. Kështu që të kuptoj, Faton”, ka shkruar Guri në Facebook.

Debati rreth pushimeve vjen në kohën kur vendi po përballet me një ngërç institucional, ku edhe tentimi i 33-të për konstituimin e Kuvendit nuk dha rezultat. /Telegrafi/