Fadil Kodra është kthyer sërish në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, pas pranimit të ankesës së tij nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Një vendim të tillë e ka bërë të ditur avokati i Kodrës, Faton Fetahu.


Fetahu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “është anuluar vendimi kontestues i Ministrisë së Brendshme”.

“Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar, më lejoni t’iu njoftoj që sapo e pranova Vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në bazë të të cilit, është APROVUAR ankesa të cilën e kemi parashtruar dhe si rezultat, është anuluar vendimi kontestues i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe z. Kodra kthehet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent”, ka shkruar avokati Fetahu.

305766737 5520964927949178 6286861818263101854 n

Ai ka shtuar se për detaje të tjera ligjore, do të njoftojë orëve në vijim.

Më 14 korrik, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte marrë vendim për lirim nga detyra të Kodrës, i cili ishte u.d. i drejtorit të AME-së.

Ndaj këtij vendimi Fadil Kodra përmes avokatit të tij, Faton Fetahu kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Sveçla në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Në kallëzimin penal që Kodra e ka bërë përmes avokatit Fetahu, akuzon ministrin Sveçla për cenim të të drejtave të marrëdhënies së punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar.

Ministria e Brendshme ka të drejtë ta apelojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. /Telegrafi/