Fjalimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i mbajtur sot pas dhënies së betimit, duket se nuk u ka pëlqyer udhëheqësve gjerman. Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel e ka quajtur një fjalim me tone nacionaliste.
Gabriel në një intervistë për ZDF ka thënë se Evropa dhe Gjermania kanë për të mbrojtur interesat e tyre tregtare, ndërsa paralajmëroi se Gjermania do të ketë nevojë për një strategji të re ekonomike të drejtuar drejt Azisë.
“Ajo që kemi dëgjuar sot (gjatë përurimit të Donald Trump) janë tone të larta nacionaliste”, tha Gabriel.
Tonet e replikave janë rritur mes Evropës dhe SHBA-ve, kur disa ditë më parë Trump e pohoi se pas Anglisë edhe shumë shtete tjera evropiane do të kërkojnë largimin nga Bashkimi Evropian, ndërsa NATO-n e quajti një organizatë të vjetruar, kurse e ka kritikuar kancelaren gjermane për politikat e pranimit të emigrantëve nga Siria.