LAJMI I FUNDIT:

Pardew: Diplomacia amerikane po favorizon sot Serbinë

Pardew: Diplomacia amerikane po favorizon sot Serbinë

Ish-diplomati amerikan, James Pardew në shkrimin me titull “Ndërkohë që COVID19 ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojëra të fëlliqura në Ballkan”, i kërkon Richard Grenellit të mos merret me Ballkanin, se nuk ka kompetencë.

The Hill, botoi një shkrim të James Pardew me titull “Ndërkohë që COVID19 ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojëra të fëlliqura në Ballkan”.

Autori, oficer karriere në shërbimet ushtarake të inteligjencës shtron që në fillim të shkrimit pyetjen, se cilat mund të jenë interesat amerikane për hir të të cilave, diplomacia e administratës së Donald Trumpit është duke destabilizuar Kosovën, “këtë vend të vogël dhe të pambrojtur pro-amerikan të Ballkanit”, në një kohë që pandemia botërore e shëndetit ka kapluar botën? Pse e bën një gjë të tillë ekipi i Trumpit, kur dihet që SHBA ndaloi me forcë Serbinë, që të mos kryente gjenocid në Kosovë në vitin 1999?


“Kjo gjë është shumë e çuditshme kur mendon që SHBA-ja ka luajtur rolin kryesor në dhënien e pavarësisë Kosovës dhe që nga ajo kohë Kosova ka qenë vendi më pro-amerikan i Evropës. Sot, shkruan ai, diplomacia amerikane favorizon Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë në rajon”, shkruan më tej Pardew, i cili e njeh mirë rajonin, ku ka shërbyer edhe si ambasador në Bullgari.

Më tej ai i kthehet Grenellit, të dërguarit të Trumpit, “i cili i ka bërë presion Kosovës, që të pranojë kërkesat serbe si pjesë e ‘negociatave’ për normalizimin midis dy vendeve”.

Grenell drejton diplomacinë amerikane në Kosovë në një kohë që mban postin e ambasadorit amerikan në Gjermani dhe të drejtorit në veprim të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës.

“Ky është një varg absurd detyrash për dikë që ka eksperiencë të kufizuar diplomatike dhe nuk ka aspak eksperiencë në fushën e shërbimeve të inteligjencës”, shkruan James Pardew, i cili e shpreh qartë mosvlerësimin për Grenellin, për të cilin thotë se, “ka qenë katastrofë si ambasador në Gjermani, aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi presin largimin e Grenellit”.

Gazeta online The Hill, me bazë në Uashington ku është botuar shkrimi i James Pardew, e ka bazën në gazetën e printuar me të njëjtin titull, hapur më 1994 nga dy ish gazetarë të Nju Jork Times. The Hill informon kryesisht mbi Kongresin amerikan, (Parlamentin), presidencën dhe fushatat elektorale.

James Pardew, e quan presidentin serb Aleksandar Vuçiq, “një nacionalist serb që përdor si mjet politik për të marrë mbështetje urrejtjen etnike, siç ka pas bërë në vitet 1990 Sllobodan Millocheviqi”.

Pardew, që përveç postit të ambasadorit amerikan në Bullgari, ka mbajtur edhe postin e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-së, vlerëson se, “udhëheqësit serbë vazhdojnë të ushqejnë ndarjet dhe armiqësitë si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë” dhe se “Vladimir Putini lumturohet kur e ndihmon Beogradin në çdo gjë që përçan unitetin midis Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Ajo që është duke bërë Trumpi dhe Grenelli tani në Kosovë shkatërron themelet e politikës së suksesshme amerikane në rajon”, shkruan autori, ku më tej ai shpjegon pse.

“Një nga principet amerikane që sollën paqen në rajon më 2008, ishte nocioni se kufijtë janë të vendosur dhe zgjidhjet politike duhen gjetur brenda kufijve të kombit, për të cilin bëhet fjalë. Marrëveshja e Ohrit që pengoi luftën në Maqedoni, thoshte qartë se, ‘nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Territoret nuk janë zgjidhje për probleme të tilla'”, shpjegon ai.

Përpjekjet amerikane në ish-Jugosllavi, autori i quan, suksese të mëdha të politikës së jashtme amerikane në periudhën e hershme post-sovjetike. Ai kujton se kur ish-Jugosllavia u shpërbë, drejtimi amerikan në koalicion të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, duke përdorur diplomacinë dhe forcën ushtarake i dha fund gjenocidit serb në Bosnjë e Hercrgovinë, ndaloi katastrofën humanitare në Kosovë dhe parandaloi luftën civile në Maqedoni nga 1995 deri më 2008, shkruan Pardew, në këtë op-ed, që është shkurtimi për “opposite the editorial page”, “përballje me editorialin”.

“Kosova është sot shtet i pavarur demokratik, i njohur nga 97 vende”, kujton Pardew, “por Serbia përdor ndikimin e saj për t’ia bllokuar anëtarësimin në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Si reagim Kosova vendosi tarifa 100 përqindëshe mbi mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenell i ka bërë presion Kosovës të heqë tarifat në mënyrë që të vihen në lëvizje bisedimet e bllokuara”.

Por qëndrimin e administratës së Trumpit, Pardew e quan përtej ironikes.

“Sanksionet ndërkombëtare dhe tarifat janë politika më e favorizuar e administratës së Trumpit, prandaj kundërshtimi për vendosjen legjitime të tarifave si mjet në marrëdhëniet ndërkombëtare, ia kalon çdo lloj ironie. Për të bërë presion mbi Prishtinën, SHBA ndaloi ndihmat aq të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë të Uashingtonit ngritën madje pyetjen e mundësisë së largimit të kontingjentit të vogël të trupave amerikane nga Kosova, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999. Ky ishte faktori kryesor që e bëri të rrëzohej kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në një kohë kur në rajon përhapej virusi COVID19. Kosova tani drejtohet nga një qeveri e dobët, që nuk mund të kujdeset për gjithçka”, shkruan James Pardew.

Më tej në shkrim ai thotë se, “Grenelli me sa duket preferon qëndrimin e politikanit kohëgjatë dhe presidentit aktual Hashim Thaçi, i cili favorizon një marrëveshje me Beogradin edhe nëse kjo përmban shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Beogradit. Unë e pata këshilluar Thaçin një vit më parë gjatë një bisede në Uashington se marrëveshja me këmbime territoresh është një hile serbe që nuk të çon kurrkund, dhe se ai nuk mund t’i besojë administratës së Trumpit për asnjë lloj negociatash me Beogradin. Ai e ka injoruar këshillën”.

James Pardew mendon se ekzistojnë shumë pyetje lidhur me misionin e Grenellit në Kosovë.

“Pse do të donte dikush me eksperiencë kaq të kufizuar dhe detyra kaq të rëndësishme kombëtare, të angazhohej në bisedimet midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Pse është duke marrë Grenell qëndrime pro-serbe në bisedime? Pse është duke destabilizuar SHBA një vend pro-amerikan në kohë kaq delikate? Ka diçka që mban erë në gjithë këtë gjë”, shkruan ai i sigurt.

Dhe vazhdon me supozimet se, “duke qenë një Trumpist entuziast e i angazhuar, Grenell, mbase kërkon me çdo kusht që të kënaqë shefin. Por kur kujtohem për marrëdhëniet shumë të dyshimta midis Trumpit dhe Vlatimir Putinit, unë dyshoj se ka diçka tjetër më shqetësuese. Unë dyshoj, pa pasur prova, se Putini i ka paraqitur idetë e tij pro-serbe presidentit Trump, duke e vënë theksin tek shqiptarët që janë myslimanë dhe duke i kërkuar Trumpit ndihmë për të nxitur bisedimet”.

“Ashtu si emërimet e tjera të keqkonceptuara, Trump e bëri njeriun e tij besnik, Grenellin, njeri agresiv dhe antagonist, njeriun kryesor për Kosovën. Kjo është një dhuratë e vogël për Putinin, të cilit i pëlqejnë të shkaktojë turbullira në Evropë, të çfarëdo lloji qofshin. Të angazhosh në ish-Jugosllavi diplomacinë e frymëzuar nga Trumpi është sikur të lesh një fëmijë dy vjeçar të luajë me qirinj të ndezur pranë një mullari me bar”, shkruan Pardew.

Ai kritikon misionin e Richard Grenellit.

“Misioni i Grenellit në Kosovë rrit destabilitetin në Ballkan dhe nuk i shërben interesave kombëtare amerikane. Politika aktuale amerikane në Kosovë është të paktën inkompetencë diplomatike, për të mos thënë qëndrim i gabuar. Në një kohë kur COVID19 është duke u përhapur në SHBA dhe Evropë. Grenelli duhet ta lerë rehat Ballkanin dhe të mos turbullojë ujërat në një rajon, për të cilin i mungojnë njohuritë, eksperienca dhe kapaciteti diplomatik për të përmirësuar situatën,” shkruan për The Hill, James Pardew.

Në fund të shkrimit të tij, ai shton se, “në vend të kësaj. SHBA duhet të mbështesë qeverinë në Kosovë, që të merret me krizën shëndetësore. Marrëdhëniet Kosovë- Serbi janë një problem afatgjatë që kërkon vëmendje serioze dhe diplomaci profesionale, jo një politikë të gatuar përgjysmë që t’i shërbejë vetëm interesave serbe dhe ruse”. /Deutsche Welle/