LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërohet mënjanimi i infrastrukturës së mbetur të operatorëve ilegal

Paralajmërohet mënjanimi i infrastrukturës së mbetur të operatorëve ilegal

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) pas konsultimeve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare paralajmëron mbi vazhdimin e fazës së dytë për mënjanimin e infrastrukturës së mbetur të operatorëve ilegal.

Në njoftimin e ART-së thuhet se edhe më parë ka rikujtuar qytetarët e Republikës së Kosovës që ekskluzivisht të shfrytëzojnë shërbime telekomunikuese të cilat ofrohen nga operatorët dhe ofruesit e shërbimeve telekomunikuese të cilët kanë licencë adekuate nga ART, përndryshe institucionet e vendit nuk do të mbajnë përgjegjësi për pasojat eventuale gjatë aktiviteteve ditore për jetësim të ligjeve në fuqi.

Gjithashtu ART i bën me dije edhe transmetuesve radiodifuziv të cilët përdorin linqe mikrovalore dhe nuk posedojnë licencë adekuate nga ART se obligohen që në një afat sa më të shkurtër të aplikojnë pranë ART dhe të përmbushin obligimet e tyre ligjore, siç edhe janë udhëzuar, në të kundërtën, këto operime nga ana e ART-së do të trajtohen si veprime të paautorizuara dhe të sanksionueshme me ligjet në fuqi.

“ART në vazhdimësi ka rikujtuar dhe ftuar ndërmarrjet, grupet ose individët të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ofrimin e shërbimeve jo të autorizuara që të ndërpresin aktivitetet e tilla, përndryshe masa rigoroze sanksionuese ndaj personave juridik dhe fizik do të jenë të pashmangshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/