LAJMI I FUNDIT:

Paqe kuqezi, barazojnë Vëllaznimi dhe Drenica  

Paqe kuqezi, barazojnë Vëllaznimi dhe Drenica  

Vëllaznimi nga Gjakova nuk ka mundur të fitojë ndaj Drenicës, pasi pas 90 minutave ndeshje përfundoj me rezultat të barabartë 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të Superligës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ishte afër ta merrte fitoren e dytë në katër takimet e fundit, por në fund pranuan gol duke iu mohuar fitorja.

Pjesa e parë nisi më mirë për mysafirët nga Skenderaj, të cilët në minutën e nëntë goditën shtyllën me anë të mesfushorit Hysen Tahimit.


Pas këtij rasti të mysafirëve, Vëllaznimi u kthye në lojë duke rrezikuar me Kushtrim Gashin (22’), Lorik Rudin (31’), por në dy rastet nuk pati gol.

Megjithatë, goli për vendasit nuk vonoi dhe në minutën e 43-të ishte sulmuesi Semir Zeneli, i cili shënoi gol të lehtë nga afërsia dhe dërgoi skuadrën e tij në pushim me një gol epërsi.

Pamje nga njëra e tribunë e stadiumit në Gjakovë

Në pjesën e dytë, vendasit arritën të menaxhojnë mirë lojën, duke shënuar edhe një gol në minutën e 70-të me anë të Paolo Ivanit, por gjyqtari anuloi këtë gol.

Krejt në fund kur pritej një fitore e vendasve, në skenë u shfaq mbrojtësi Visar Berisha, i cili barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 90-të dhe vulosi rezultatin përfundimtar .

Pas këtij barazimi, Vëllaznimi e sheh veten në pozitën e shtatë me 18 pikë, ndërsa Drenica renditet e nëntë me 15 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, gjakovarët udhëtojnë drejt Vllaznisë së Pozheranit, ndërsa Drenica e pret në shtëpi Trepçën ’89. /Telegrafi/