Papa Françesku e krahasoi sot luftën në Ukrainë me një operacion nazist në të cilin, në pjesën e parë të Luftës së Dytë Botërore, u vranë rreth dy milionë njerëz, kryesisht hebrenj.
Duke iu drejtuar audiencës së përgjithshme të kësaj jave pelegrinëve polakë, Françesku vuri në dukje se Universiteti Katolik i Lublinit në Poloni, shënoi së fundmi përvjetorin e Operacionit Reinhard, transmeton Telegrafi.
Ishte një emër i koduar për një operacion sekret në pjesën e Polonisë së pushtuar, që përfshinte territorin që tani është në territorin e Ukrainës.
“Kujtimi i kësaj ngjarjeje të tmerrshme le të zgjojë tek të gjithë synimet dhe veprimet për të arritur paqen”, tha Ati i Shenjtë, duke përmendur konkretisht operacionin “shfarosja”.
“Kështu përsëritet historia. Sot ne shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë. Rusia e quan pushtimin e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak”, qëllimi i të cilit është “denazifikimi” i vendit dhe zhdukja e nacionalistëve që i konsideron të rrezikshëm. Ukraina dhe aleatët e saj akuzojnë Moskën për një luftë të paprovokuar për të marr territorin nga fqinji i saj properëndimor”, shtoi Papa.
Që nga fillimi i pushtimit në shkurt, Françesku ka dënuar ashpër lëvizjet ruse. Muajin e kaluar, ai tha se ukrainasit po vuanin “martirizim për shkak të agresionit”, dhe i krahasoi pasojat e luftës ndaj ukrainasve me “gjenocidin e tmerrshëm” të viteve 30-ta, kur uria mbretëroi në vend për shkak të diktatorit sovjetik Joseph Stalin.
Papa ka ofruar vazhdimisht ndërmjetësimin e Vatikanit për zgjidhjen e konfliktit, por për shkak të kritikave të ashpra ndaj Rusisë, kjo ka shumë pak gjasa.
Në një intervistë të dhënë muajin e kaluar për revistën jezuite America, Françesku foli për ato që ai tha se ishin mizoritë e forcave ushtarake ruse në Ukrainë. /Telegrafi/