Pamje që të lënë pa frymë - bukuritë e qytetit të Pejës në xhirime nga ajri

Një video e publikuar së fundmi në TikTok po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke magjepsur përdoruesit me pamje të mrekullueshme të qytetit të Pejës. Pas saj qëndron Elvis Perlleshi, arkitekt nga Klina, i cili përveç profesionit të tij, është i pasionuar pas fotografisë dhe editimit të videove.
Përmes një droni dhe një syri artistik, Perlleshi ka arritur të kapë esencën e një prej qyteteve më të bukura të Kosovës – Pejës. Videoja përfshin pamje panoramike që shpalosin ndërthurjen harmonike të natyrës me urbanizmin, me malin që qëndron krenar në sfond dhe rrugicat që rrezatojnë jetë në çdo kthesë.
Drita e mëngjesit dhe ngjyrat e ngrohta të perëndimit janë përzgjedhur me kujdes për t’i dhënë ndjesi emocionale çdo sekonde të videos, ndërsa muzika e zgjedhur në sfond e bën përjetimin edhe më të veçantë.
@elvisperlleshi #peja03 #peja #water #architecture #city #viralvideos #kosova🇽🇰 #dronevideo #drone
Ky nuk është projekti i parë i Elvisit me pamje ajrore, por padyshim është një prej më të vlerësuarve, duke sjellë Pejën siç rrallëherë e kemi parë – nga lart, me qetësi, elegancë dhe dashuri për detajin.
Puna e tij është një ftesë vizuale për të rizbuluar bukurinë që kemi përreth dhe për të vlerësuar më shumë thesaret natyrore e arkitektonike të vendit tonë. /Telegrafi/














































