Më shumë se 3,000 myslimanë të zemëruar kanë hyrë në Colony Joseph, një lagje e krishterë në Lahore, pas arrestimit të një të krishteri i cili akuzohet se para tri ditësh ka thënë fjalë fyese për profetit Muhamed.

Në trazira nuk ka vdekur askush.


Policia njoftoi se ka arrestuar më shumë se 60 persona nën dyshimin se ata ishin të përfshirë në dhunë, ndërsa zëdhënësi i guvernatorit të Punjabit ka premtuar se ata do të dënohen nga gjykata anti-terroriste.

Sawan Masih u arrestua të premten, pasi miku i tij i besimit islam, Shahid Imran, e akuzoi për blasfemi, që është vepër e dënueshme edhe me vdekje në Pakistan, një ky vend me 180 milionë banorë, nga të cilët 97 për qind janë myslimanë.

Një numër i madh i të krishterëve është larguar pastaj nga shtëpia, nga frika për jetën e tyre.

Dy miqtë ishin nën ndikimin e alkoolit kur ishin grindur të mërkurën, u ka thënë gazetarëve Multan Khan, shef i policisë në këtë zonë.

Zëdhënësja e policisë së Punjabit, Nabila Ghazanfar, tha më vonë se katër zyrtarë të lartë, në mesin e të cilëve Multan Khan, janë pezulluar nga detyrua për shkak të "neglizhencës" dhe për shkak se kanë dështuar për të qetësuar trazirat.

Ligji për blasfemi, për shkak të ashpërsisë së saj, tërhoqi vëmendjen dhe shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare pas skandalit Rimsha të vitit të kaluar.

Skandali është emëruar sipas katërmbëdhjetëvjeçares analfabete pakistaneze, e cila i kaloi tri javë në një nga burgjet më të mëdha në vend, pas akuzës se ka djegur faqet ku janë shkruar vargjet kuranore. Gjyqi pakistanez më vonë i hodhi poshtë të gjitha akuzat kundër Rimshas. /Telegrafi/